E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët duhet të kontrollojnë politikën

14/12/2008  Kreu i PS-së Edi Rama merr pjesë në tryezën e bordit qytetar në Elbasan

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama rikthen në qendër të takimeve të tij përfshirjen e qytetarëve në diskutimet politike. Ideja e artikuluar në turet e zhvilluara “Dialog me Shqipërinë” tashmë është në qendër të mbledhjeve të bordeve qytetare, ku është i pranishëm edhe Rama. Megjithëse janë paraqitur si struktura autonome brenda PS-së, këto borde duket se janë përzgjedhur nga drejtuesit socialistë si mekanizma që do të përdoren fuqishëm në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 2009-s.

Deklarata e Ramës

“Duke e lënë qytetarët politikën vetëm, e lënë jashtë kontrollit të tyre dhe politika siç ka një fuqi çudibërëse, në rast se është e ushqyer nga energjia pozitive, qytetare dhe profesionale, ashtu mund të ketë fuqi shkatërruese, në rast se është jashtë kontrollit të qytetarëve.” Kështu është shprehur kryesocialisti Rama gjatë takimit të zhvilluar me bordin e qytetarëve në Elbasan. Sipas Ramës, mund të gjenden plot arsye pse njerëzit duhet të merren me politikë dhe pse njerëzit duhet të heqin dorë nga këndvështrimi naiv se mund të bëjnë pa politikën. “Merresh apo nuk merresh me politikë, politika merret me ty çdo ditë. Do apo nuk do, politika është në koston e faturës së dritave, ujit, të shpenzimeve, është në cilësinë e arsimit, shërbimit shëndetësor, transportit, infrastrukturës, kudo”, - tha Rama. Ai theksoi se qytetarët që nuk kanë lidhje me jetën politike duhet të kapërcejnë barrierat, në mënyrë që hapësirat e diskutimit politik të jenë shumë më të gjera sesa hapësirat e ngushta ku politika bëhet nga zanatçinjtë që quhen politikanë. “Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojë të ndryshojë procesi politik dhe politika e politikanëve të merret me çështjet që ngre politika e qytetarëve. Sa më shumë qytetarë ta bëjnë këtë së bashku, aq më shumë ndikojnë në axhendën që ka politika”, - tha Rama. Sipas tij, një nga gjërat që duhet të përbëjë shqetësim të përbashkët dhe që ne duhet të luftojmë, është që ti japim memorie raportit me ata që marrin votën. “Duhet të ketë një fuqi qytetare për të komunikuar te komuniteti nevojën për të pasur memorien lidhur me ata që kërkojnë votën. Çfarë kanë premtuar dhe pse nuk duhet apo duhet tua japim votën. Dhe këtë duhet ta bëjnë sa më shumë njerëz, për ti dhënë një cilësi tjetër marrëdhënies me ata që votohen dhe ata që votojnë, të zgjedhur dhe zgjedhësit”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›