Qytetarët u besojnë kursimet bankave, rritet niveli i depozitave
Pas një luhatjeje të disa muajve më parë, qytetarët u janë kthyer sporteleve të bankave për të besuar kursimet e tyre. Muaji gusht shënon një rritje të ndjeshme të nivelit të depozitave, pasi në këtë periudhë është shtuar vlera e depozituar, si dhe numri llogarive të reja të hapura pranë bankave. Muaji gusht i këtij viti ka shënuar një fluks në rritje të depozitave në sistemin bankar. Banka e Shqipërisë, në raportin mbi zhvillimet ekonomike në 6-mujorin e parë të vitit 2009, bën të ditur se totali i depozitave kundrejt vitit 2008 u rrit me rreth 25 miliardë lekë (90 për qind e të cilave në euro), ose me rreth 4 për qind më shumë, duke shënuar rritjen më të madhe gjatë këtij viti. Sipas BSH-së, në gusht 2009 depozitat u rritën me rreth 20 miliardë lekë në krahasim me korrikun 2008, e mbështetur kjo nga fluksi i emigrantëve dhe rritja e besimit të publikut ndaj bankave. Duke iu referuar statistikave të publikuara në raport, depozitat arritën në nivelin më të lartë që prej tetorit të vitit 2008, kohë kur filloi dhe tërheqja e kursimeve, si rrjedhojë e panikut të shkaktuar nga kriza financiare globale dhe që më pas, u shoqërua me një ngadalësim të ndjeshëm apo dhe ulje të depozitave në banka. Gjithsesi, sipas të dhënave të Bankës Qendrore, niveli i depozitave mbetet rreth 19 miliardë lekë, më i ulët në krahasim me gushtin e vitit 2008. Por ekspertët bankarë vërejnë se një zhvillim pozitiv mund të shihet në ngushtimin e diferencës mujore në krahasim me muajin korrik, ku depozitat në korrik 2009 ishin rreth 24 miliardë lekë më të ulëta se muajin përkatës të 2008-ës. Gushti ka qenë historikisht një muaj i mirë për depozitat, për shkak të prurjeve të emigrantëve, por këtë vit pritshmëritë ishin më të ulëta, si rrjedhojë e efekteve të krizës globale financiare. Por bankat u treguan mjaft agresive me ofertat e tyre dhe duket se u shpërblyen dukshëm për këtë. Kanë qenë pikërisht depozitat në valutë, ato që kanë shënuar dhe rritjen më të madhe gjatë gushtit, me rreth 23 miliardë lekë (apo 90 për qind të totalit të rritjes). Ndërkohë që pesha e depozitave në valutë ndaj totalit ka mbetur e pandryshuar, duke zënë rreth 43 për qind. Por tendenca e vënë re gjatë muajit gusht tregon se euro po bëhet një monedhë e preferuar për kursimet, sidomos me forcimin e saj të ndjeshëm ndaj lekut gjatë javëve të fundit.