E Diel, 1 Nëntor 2026

RAPORT SHOKUES/ Europol: Krimi shqiptar, më i rrezikshmi në BE. Në vend dërgohen mbetje toksike

Pasi lexon këtë raport, pyetja e parë që të vjen ndërmend është se me çfarë kredencialesh vjen si kandidat për Tiranën, Lulzim Basha, ish- ministër i Brendshëm?

Trupa policore e Bashkimit Europian, Europol, ka publikuar një raport prej 38 faqesh, i konsultuar me 70 mijë faqe informacione për rrezikun e krimit të organizuar në Europë.

Në një shkrim të botuar në EuObserver, thuhet se grupet kriminale shqipfolëse përbëjnë një nga problemet më të mëdha.

Krimi i organizuar shqiptar është vërtet poli- kriminal e poli- drogë. Brenda BE, grupet shqipfolëse janë aktive në fushën e kokainës, heroinës, drogave sintetike dhe trafikimit të kanabisit, thuhet në raport.

Grupet shqiptare janë të famshëm për ushtrimin e dhunës ekstreme madje edhe kur bëjnë vjedhje.

Raporti flet për sasi të mëdha armësh në Shqipëri gati për tu trafikuar nga këto grupe. Ata ofrojnë akses në armë të tilla si anti- tanke e kundërajrorë, thotë raporti.

Gazeta Tema e pa raportin, që në 38 faqe e përmend krimin shqiptar me dhjetëra e dhjetëra herë.

Në raport thuhet se grupet kriminale shqiptare e kanë zhvendosur aktivitetin e tyre edhe në fusha të tilla më komode si mashtrimi me kreditet e karbonit apo edhe mashtrimet me kartat e pagesave.

Turqit e shqiptarët janë më kryesorët në trafikun e heroinës në BE, shkruan raporti.

Por jo vetëm kaq, por edhe trafiqet që nisen nga Rusia e Lituania, kalojnë përmes shqiptarëve, të cilët sipas raportit, e kanë kthyer vendin në një parajsë të tranzitit.

Raporti përmend një detaj interesant, që kanabisi shqiptar, jo vetëm shpërndahet në mbarë Europën, por shkon edhe në Turqi, ku këmbehet me heroinë.

Raporti përmend veçanërisht Shqipërinë si vendin ku grumbullohet kokaina.

Po ashtu, raporti i Europol e përmend krimin shqiptar si mjaft të rëndësishëm në trafikimin e klandestinëve, një problem mjaft i madh ky për Bashkimin Europian.

Në sugjerimet e raportit thuhet se krimi shqiptar mund të zgjerohet sidomos pas heqjes së vizave. Raporti parashikon abuzime me sistemin e ri.

Edhe pse shumë grupe kriminale po e reduktojnë dhunën, të vetmit që nuk po e bëjnë këtë gjë janë shqiptarët, thuhet në raport.

Shqiptarët përmenden edhe sa i përket falsifikimit të parave.

Në raport thuhet se shqiptarët dhe Ndragheta italiane merren kryesisht me trafik armësh.

Po ashtu një fakt tronditës që del në këtë raport është se shumë nga mbetjet toksike trafikohen në Shqipëri.

Dhe si për ta mbyllur, në raport thuhet se tani krimi shqiptar po përdor edhe rrjetet sociale për të shtrirë aktivitetin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›