E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Durrësit; Nis procesi zgjedhor

Mbi 2200 studentë, si dhe personeli akademik dhe ai administrativ i universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kanë nisur që prej disa orësh procesin zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese të këtij universiteti. Zëvendësrektori i universitetit, Mithat Mema, tha se tri qendrat e votimit që u korrespondojnë Fakulteteve të Edukimit dhe Ekonomi-Biznesit, si dhe Shkollës së Lartë Profesionale do të jenë të hapura sot deri në orën 16:00, ndërsa procesi deri tani është zhvilluar mjaft i qetë. Mema tha se procesi i sotëm zgjedhor për autoritetet dhe organet drejtuese të universitetit është përgatitur në bashkëpunim me qeverinë studentore. Zgjedhjet synojnë të përzgjedhin emrin e rektorit, të krijojnë senatin akademik si dhe këshillin e administrimit dhe atë të tre fakulteteve. Mema tha se ish-rektori Agim Kukeli është kandidatura e vetme për postin e rektorit, ndërsa votimi për dekanët e fakulteteve respektive nuk do të zhvillohet për shkak të mangësive në curriculumet e kandidatëve të paraqitur. Sipas Memës, procesi i zgjedhjeve ka nisur më 20 qershor të këtij viti dhe ai zhvillohet në këtë universitet për herë të parë pas dy sezonesh akademike. "Gjatë dy viteve të para drejtuesit e universitetit, sipas ligjit, u komanduan nga MASH-i”, - tha Mema, duke shtuar se procesi i sotëm i votimit mbështetet mbi legjislacionin dhe rregulloret e aprovuara. Sipas Memës, sot janë ftuar në zgjedhje 28 pedagogët të cilët kanë mbi një vit stazh pune në universitet, dhe sipas të njëjtës skemë do të votojnë edhe 10 anëtarë të personelit administrativ. Në këtë proces janë ftuar mbi 2200 studentët e regjistruar aktualisht në këtë universitet. Procesi i votimit në universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit po monitorohet nga specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH). Në të tri qendrat e votimit, komisionet kanë marrë materialet zgjedhore ku bien në sy fletët me ngjyra të votimit, sipas organizimit për të cilin votohet si dhe kategorisë së votuesit, nga pedagogët te studentët.

Qendra e Studimeve Gjeografike i kalon UT-së

Qendra e Studimeve Gjeografike që deri më tani ishte pjesë e Akademisë së Shkencave, do t`i kalojë nën administrim Universitetit të Tiranës. Vendimi është marrë dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave ku është përcaktuar integrimi i ish-Qendrës së Studimeve Gjeografike (QSGJ), në departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Vendimi ka përcaktuar se “në departamentin e Gjeografisë, të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, shtohen katër vende pune, për personelin akademik të ish-QSGJ-së” dhe se “niveli i pagave të personelit akademik të ish-QSGJ-së, do të jetë i njëjtë me atë të personelit akademik të Universitetit të Tiranës”. Prej kësaj reforme pritet të mbeten pa punë një pjesë e mirë e qendrës, ndërkohë të gjithë punonjësit e mbetur do të trajtohen me kontratë të përkohshme nga Universiteti i Tiranës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›