ROLET QË LUAJMË
Të gjithë sa jemi e luajmë një rol. është roli definitiv që luajmë në jetë, ose roli i radhës. Teatri i jetës është një skenë gjigante dhe gjithëpërfshirëse, me një montim dhe ideim kaotik dhe të përmasave të hatashme, por edhe me një rekuizitë spontane dhe hera-herës shpërthyese. Rolin rrallë e tek e ka zgjedhur secili vet, përndryshe ia ka caktuar regjisori-fat, ose regjisori-rastësi, duke u futur pastaj në xhunglën e skenës botërore, ose më thjesht kombëtare a shtetërore. Dhe parakalojnë në këtë skenë gjigante mijëra e miliona personazhe, duke luajtur secili jetën e vet të përditshme, me fjalët dhe poezinë e mësuar në jetën e tij, luan dramën, dashurinë a tragjedinë e tij, duke ecur vendosmërisht ose me hap të pasigurt, duke krijuar sherre e duke shpërfaqur lloj-lloj skenash. Asnjë nuk luan rolin, jetën e tjetrit...
Sikur në një çast të dhënë të bënim një prerje transversale të botës ku jetojmë, duke e përfytyruar skenën të ngrirë (sigurisht vetëm për atë çast të dhënë) do të vinim re se në këtë skenë njerëzore, bashkë me peizazhin skenografi të përbotshme (ujë apo tokë), do të shfaqeshin vërtet dukuri, skena, dramacitet dhe përkorje, sjellje të çuditshme, gjendje gjumi apo një veprimtari e sjellje normale e anormale, gjithçka të përfshirë në jetën e përditshme. Secili njeri që jeton në këtë botë, duke luajtur rolin e vet absurd apo real, tragjik apo komik, të punës së ndershme apo duke sajuar atë që ka vendosur të luajë në jetën e tij – siç ndodh realisht, do të vëmë re se qëndrimet janë të vërteta, nuk kemi maskën shoqërore, nuk ndihemi të ndrydhur e të stresuar nën syrin e kamerës, nuk hezitojmë, pasi secili, ndonëse rolin e tij e gëlltit në formën e shqisës së vetes, përsëri nuk mendon kurrë se po luan një rol në jetën e tij. Mendimi i gjallon ndryshe: unë po bëj jetën time! Kjo është një flakërimë turinjve për të gjithë ata që mendojnë dhe përfytyrojnë se jeta zhvillohet në këtë formë të çuditshme.
Mirëpo njerëzit e politikës veçanërisht dhe ata të ekranit janë tërësisht si një “Big Brother”, e ndiejnë veten nën syrin vëzhgues dhe janë tërësisht në lojë. Nga ana tjetër me rritjen e teknikës e të teknologjisë së informacionit dhe ndërhyrjes së saj në jetën e përditshme, duket se syri vëzhgues, efekti kamerë, është i pranishëm dhe në këtë mënyrë tjetërson veprimtarinë dhe sjelljen e tjetrit. Në kësi rastesh, tonet e larta të politikës (politikan i opozitës ose i shumicës qeverisëse), këmbëngulja vetëvrasëse ose vetëshkatërruese që pozojnë një personalitet të pathyeshëm krijojnë menjëherë diferencën para syve të spektatorëve, ose qytetarëve të thjeshtë, duke e etiketuar politikanin si “kokëderr” ose edhe “trim të paepur”. Mirëpo syri vëzhgues i popullit ose i kamerave e sheh fare mirë kur e heq maskën politikani, ose garipi televiziv, që e shet veten në një mënyrë agresive për “pesë pare spec”. Madje nganjëherë agresiviteti i tij i kapërcen kufijtë e një qëndrimi normal dhe bëhet i pabesueshëm, duke injoruar të gjitha etiketat dhe monstruozitetet e çuditshme. Kaq sfiduese bëhen këto qëndrime në skenën e politikës, saqë edhe politikanet femra tani kanë filluar të shajnë me nënë e me motër e me ç’mban pragu i shtëpisë, duke përdorur një fjalor modern dhe popullor sharjesh e klithmash histerike, ndonëse në diploma e në paraqitje profesoreske kanë tituj e ndere të pakufishëm.
Kur dekretohemi për herë të parë në jetë, pas shkollimit (ose edhe gjatë studimeve) me një detyrë të caktuar: gazetar, mësues, mjek, agronom, tregtar, ushtarak, ekonomist, psikolog, sociolog, pedagog etj., fillimisht ndihemi të vetëdijshëm dhe pas pak kohe, e gjitha kjo që ka nisur si një lojë, si një rol i luajtur në teatrin e jetës, gjithnjë e më tepër gëlltitet si një shqisë e vetes. Kështu kur luajmë një rol të caktuar, për shembull gazetar i fushës ekonomike, ne gjithnjë e më tepër na takon të thellohemi në rolin tonë. Sigurisht nuk kemi për të mësuar pjesët përmendësh, nuk kemi as për të deklamuar ato që kemi përvetësuar, por duhet të interpretojmë bukur dhe me interes profesional rolin tonë, zanatin tonë: të shkruajmë bukur, të mbrojmë me bindje të thellë pikëpamjet tona, të shprehemi me kulturë dhe të hedhim poshtë pikëpamjet e gabuara të të tjerëve. Mirëpo, kur ky gazetar është edhe i televizionit dhe nata-natës del në ekran dhe hedh baltë (sipas pikëpamjes politike) ai bëhet një aktor tmerrësisht i keq, i padurueshëm, duke hedhur spërkla pështyme nga ekrani drejt gjithë atyre që e ndjekin. Pra në këtë rast nuk kemi lojë të sinqertë, por është vënë maska teatrore, duke menduar se jemi në teatrin e jetës. Kur e sheh aktori i vërtetë këtë rol, sigurisht mahnitet duke menduar që të hyjë në lojë pikërisht në atë formë dhe për t’u tjetërsuar nuk i ngelet më asgjë për të bërë. është e pamundur që aktori të hyjë në thelbin e rolit, ashtu siç futet maska e njeriut, kur është duke luajtur gjoja realisht. Më pas edhe kjo lojë e pasinqertë dhe në një farë mënyre produktive, kthehet në pjesë reale të jetës dhe bëhet thelb i personalitetit njerëzor.
Në të gjitha rastet e veprimtarisë sonë të përditshme në teatrin e jetës, vëzhgimi i vetes sonë bëhet i efektshëm. Në çdo rast ne përpiqemi të justifikojmë veprimet dhe sjelljet tona. Flasim për mbështetje të një gjëje, por pa menduar shumë për të. Prandaj shkojmë vetvetiu te justifikimi. Dhe sa më i lartë të jetë zëri (kur, natyrisht, dëgjon mirë nga veshët!) aq edhe më shtirës bëhet justifikimi. Sepse dihet mjaft mirë që këmbëngulja e fortë dhe e padurueshme, zëri i lartë, klithmat, ulërimat, thirrjet etj., janë mosbesueshmëri, janë justifikim bajat, janë mosvërtetësi. Në të gjitha këto raste mungon arsyetimi, këmbëngulja e urtë, fleksibiliteti etj.
Në teatrin e jetës, në rolet e përditshme që luajmë e vetmja gjë që ka autoritetin fin është shtirja! Psikologu social Riçard Peti (2005) shkruan: “Në teatrin e jetës të gjithë përpiqemi të luajmë mirë, të flasim bukur, të ngremë tonet e zërit, të mbajmë qëndrime të forta dhe të stigmatizojmë me një ashpërsi fatalisht të bukur... e në të gjitha këto raste shtirja jonë me siguri ka qenë fantastike... Kështu ne ende nuk dimë kush janë më aktorë dhe interpretues, ne apo aktorët realë?”.
#