E Shtunë, 31 Tetor 2026

Radhë të gjata automjetesh në zonën turistike

20/07/2009  E shtuna dhe e diela kanë shënuar radhë shumë të gjata në zonën turistike nga Ura e Dajlanit deri në Plepa dhe nga Shkëmbi i Kavajës deri në dalje të Golemit. Situata në mbrëmjen e së shtunës është ripërsëritur edhe ditën e diel duke shtyrë sektorin e Policisë së Qarkullimit Rrugor të kërkojnë ndihmë nga Policia e Rendit si dhe efektiva të Policisë Rrugore të Kavajës dhe Tiranës. E gjithë dita e shtunë dhe e diel ka qenë tejet e ngarkuar dhe me fare pak mundësi për të gjetur një kohë të përshtatshme për të hyrë apo për të dalë nga plazhi. Shumë forca policie janë vënë kordon në rrugën Ura Dajlanit-Plepa dhe në pjesën tjetër të segmentit që shkon drejt Kavajës për të shmangur konfuzionin në rrugë. Edhe pse punonjësit e policisë dhe automjetet e tyre janë vënë në shërbim në një kohë të shkurtër rrugët kanë qëndruar të bllokuara për më shumë se 5 orë gjatë së shtunës dhe po aq edhe të dielën. Trafiku ka nisur të ngjishet që tek Ura e Dajlanit në pikën ku puqet rruga që vjen nga autostrada Tiranë-Durrës dhe rruga dalëse e Durrësit për të vijuar drejt Plazhit. Shumë postblloqe kanë qëndruar në temperaturën e lartë të ditëve për të mënjanuar incidentet dhe për të orientuar autoveturat. Shefi i sektorit të qarkullimit rrugor në Durrës, Xhemal Lusha, ka thënë se kjo situatë është krijuar ngase 15-ditëshi i dytë i korrikut dhe 15-ditëshi i parë i gushtit janë periudhat e dyndjes së pushuesve drejt bregdetit. Por ndërtimi i rrugës së re Durrës- Kukës ka pasur jo pak efekt në këtë shtim fluksi ngase këtë vit numri i automjeteve me targa Kosove ka qenë tejet i madh. Automjetet janë vendosur në kolonë për dy e tre, ndërsa situata e trafikut është rënduar deri në paralizim të plotë edhe për lëvizjen e linjave qytetëse. Kështu janë bllokuar në rrugë të gjithë autobusët e futur në linjën e Plepave, kurse autobusët e linjës nga Tirana drejt jugut të vendit kanë qarkulluar me shumë vështirësi. Në të gjitha stacionet e urbanëve ka pasur dhjetëra e qindra qytetarë duke pritur dhe pritja ka varijuar për shumëkënd prej tyre deri në 5 orë. Një pjesë e këtyre autobusëve nuk kanë mundur të bëjnë më shumë se 2 rrugë drejt Plazhit. E njëjtë ka qenë situata e trafikut edhe në zonën e Shkëmbit të Kavajë, Mali Robit dhe Golem, pasi vargu i mjeteve ka kaluar të 3-4 km. Në këtë segment ka nisur rikonstruksioni dhe zgjerimi i rrugës Plepa-Rrogozhinë, kësisoj është shtuar edhe trafiku në fundjavë. Fillimisht shumë e vështirë ka qenë qarkullimi edhe për autoambulancat të bllokuara në mesin e kolonës së gjatë, por policia pas afro 2 orësh ka mundur të krijojë një korridor për të qarkulluar mjetet e saj, të cilat kanë pranuar edhe autoambulancat. Situata kaotike është dukur edhe në segmentin e quajtur Unaza e Shkozetit, pasi edhe këndej mjetet kanë qarkulluar me shumë ngadalë deri në ndalim të detyruar për shkak të fluksit. Sipas shefit të qarkullimit rrugor, në jo pak raste gjendja e vështirë në rrugët e bregdetit të Durrësit është edhe përgjegjësi e vet drejtuesve të mjeteve, pasi ato futen në parakalime në mënyrë të gabuar apo shkelin sinjalisitikën duke penguar më pas të gjithë kolonën në qarkullim. Në këto dy ditë efektivat janë urdhëruar të tregojnë kujdes e durim, ndërsa objekt kontrolli apo ndëshkimi nga këto efektiva janë bërë vetëm automjetet që kanë cenuar rëndë trafikun e rregullt apo të tjera me dokumente të parregullta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›