E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reduktohen taksat kombëtare, nga 23 mbeten 6



Disa taksa tek vendorët, efekti financiar 120 milionë USD

Shumë nga taksat do të hiqen përfundimisht

Taksat kombëtare reduktohen në 6. Nga 23 të tilla që janë aplikuar deri më sot, tash e tutje mbeten 6, pasi disa syresh i kalojnë pushtetit vendor dhe disa të tjera hiqen përgjithmonë. Kjo është vendosur dje, kur qeveria miratoi projektligjin “Për taksat kombëtare”. “Ky hap shënon etapën e dytë të revolucionit fiskal dhe zhvillimin më madhor në procesin e decentralizimit fiskal”, - cilësoi Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Duke vënë në dukje rëndësinë e reduktimit të taksave, Kryeministri cilësoi si mjaft të rëndësishme edhe kalimin nga qeveria qendrore tek qeveritë vendore të një serie taksash të plota ose në bashkëadministrim, me vlerë 120 milionë dollarë. “Risia e fazës së dytë të revolucionit fiskal është se qeveria qendrore i kalon qeverive vendore një seri taksash të plota ose në ndarje të përbashkët, të cilat kapin vlerën 10 miliardë lekë ose 120 milionë dollarë. Kjo përbën një nga zhvillimet më madhore në decentralizimin fiskal dhe vitin që vjen, me këto taksa, bashkitë e komunat e vendit pësojnë një rritje të madhe të buxhetit të tyre”, - tha Kryeministri Berisha, i cili garantoi se pavarësisht nga decentralizimi fiskal, qeveria nuk do ta zvogëlojë grantin për qeverisjen vendore. “Zotohem se qeveria, pavarësisht nga decentralizimi fiskal, nuk do të zvogëlojë grantin për qeveritë vendore dhe do të bëjë çdo përpjekje t’u krijojë mundësitë e huamarrjes”, - u shpreh Kryeministri. Ai vlerësoi se qeveritë vendore po dëshmojnë seriozitet në zbatimin e projekteve infrastrukturore, shumë të rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve që ata qeverisin.

Taksat kombëtare mbeten 6

Taksa portuale mbetet taksë kombëtare bazuar në parimin e vendosjes së saj, sepse paguhet nga anijet që prekin portet (Vlorë, Durrës, Shëngjin dhe Sarandë).

Taksa vjetore e qarkullimit dhe regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, e cila rezulton nga bashkimi i taksës vjetore të qarkullimit të mjeteve është aktualisht taksë kombëtare dhe taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve e cila është aktualisht taksë lokale, përcaktuar në ligjin për sistemin e taksave vendore. Taksa e mjedisit e cila përbehet nga tre komponentë: Taksa e importimit të automjeteve të përdorura; taksa e karbonit për benzinën, benzolin dhe gazoilin dhe taksa për ambalazhet plastike të' lëngjeve (bidona, shishe plastike e kuti të plastifikuara të të gjitha formave dhe përmasave), të mbushura, të prodhuara në vend dhe të importuara, për produktet: ujë, pije freskuese, lëngje frutash e perimesh, qumësht dhe nënproduktet e tij, vajra ushqimore, vajra lubrifikante dhe detergjente. Të tre këta komponentë të taksës së mjedisit janë të njëjtë me taksat përkatëse aktuale kombëtare. Taksa e rentës minerare, taksa e akteve dhe e pullës dhe taksa për regjistrimin e lojërave të fatit mbeten taksa kombëtare njësoj si në ligjin ekzistues për sistemin e taksave kombëtare.

Taksat që kthehen në tarifa shërbimi

"Tarifat e shërbimit" janë përcaktuar të gjitha ato taksa kombëtare, të cilat në këtë projektligj nuk konsiderohen taksa kombëtare, por janë të tilla në ligjin aktual do të kalojnë tarifa shërbimi të institucioneve që aktualisht e vjelin atë. Tarifë shërbimi për pajisjen me leje drejtimi për drejtim mjeti e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit dhe Rrugëve. Tarifë shërbimi për përdorimin e aparateve televizive për Radio Televizionin,

Tarifë shërbimi konsullore e Ministrisë së Punëve të Jashtme apo të ambasadave tona jashtë vendit dhe tarifë shërbimi për lëshimin e pasaportave të udhëtimit për Ministrinë e Brendshme. Tarifë shërbimi për veprime e shërbime nga administrata gjyqësore, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria, noteria dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Tarifë shërbimi për shërbimet e transmetimeve radiotelevizive e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit (KKRT), tarifë shërbimi për pajisjen me pasaportë lundrimi e Kapitanerisë së Porteve. Tarifë shërbimi për shërbimet e radiokomunikacionit për Entin Rregullator të Telekomunikacionit (ERT). Tarifë shërbimi për qarkullimin e automjeteve të huaja për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Tarifë shërbimi për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›