E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat me drekë në vendet e varfëra

28/01/2005  Vendet në zhvillim do të ndihmohen nëse bëjnë transparent buxhetin e nuk djegin fonde

Kombet e Bashkuara rekomandojnë heqjen e pagesave në shëndetësi dhe arsim

Shqipëria duket se po ecën në kundravajtje karshi rekomandimeve të Kombet e Bashkuara për vendet në zhvillim, ku përfshihet edhe Shqipëria. Lehtësime nga pagesat që duhet të bëjnë njerëzit në arsim e shëndetësi deri dhe vakte në shkollat e zonave të prapambetura këshillohen për vendin tonë. Pas raporteve mbi varfërinë dhe strategjive në 12 Qarqe të vendit, OKB dhe zyra e PNUD në vendin tonë ka nxjerrë disa rekomandime për të përshpejtuar arritjen e objektivave.

Rekomandimet

Rekomandohet dhënia pa pagesë e vakteve shkollore të gjithë fëmijëve që përdorin ushqime me racione dhe të prodhuara në vend. Kryesisht këto ushqime duhet të jepen në zonat e varfëra, në shkollat e fshatrave, në shkollat me konvikt etj. Dhe ndërkohë që ne mburemi që fëmijët janë veshur me uniforma, që në spitale shërbimet, vizita, analiza dhe diagnostifikime janë bërë me lekë dhe së fundi pagesat u vendosën dhe për ambulancat, ekspertët e OKB-së rekomandojnë të kundërtën, dhënien falas të këtyre shërbimeve. Kështu rekomandohet heqia e pagesave të shkollave dhe uniformave për të siguruar kështu që të gjithë fëmijët, veçanërisht vajzat, të mos mbeten pa shkollë për shkak të varfërisë së familjeve të tyre. Trajnimi i një numri të madh punonjësish në fshatra rreth shëndetësisë, bujqësisë dhe infrastrukturës (programe njëvjeçare) për të siguruar kështu ekspertizën dhe shërbimet bazë në komunitetet rurale. Ndërkohë që në Tiranë, në Qendrën Spitalore Universitare së fundi dhe në ambulanca gati të gjitha shërbimet ligjërisht afrohen me pagesë, OKB rekomandon të kundërtën. Sipas ligjit, kush është i siguruar paguan vetëm 10 për qind të shërbimit, ndërsa kush është i pasiguruar, që shepesh janë kategoria më e varfër e shoqërisë, duhet të paguaj gjithë vlerën e vendosur. Kështu, OKB rekomandon eliminimin e pagesave për shërbimet shëndetësore në të gjitha vendet në zhvillim, e financuar kjo nga rritja e burimeve vendase dhe donatorë për shëndetësinë.

Barnat

Si zakonisht kërkohet përhapja e informacionit dhe shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues, përfshirë këtu edhe informacionin e shërbimet për planifikimin familjar dhe kontraceptivët si dhe plotësimin e fondeve ekzistuese për pajisje dhe logjistikë. Ndërkohë rekomandohet përhapja e përdorimit të kombinimeve mjekësore që janë provuar të jenë të efektshme për SIDA dhe tuberkulozin. Për SIDA, kjo përfshin përfundimin me sukses të iniciativës 3 nga 5, për ta çuar në 3 milionë deri në vitin 2005 shifrën e njerëzve antiretroviralë.

Rezervoni tokën publike për banesa publike

Rekomandohet ngritja e fondeve për të financuar përmirësimin e kushteve të banimit të komunitetit dhe rezervimi tokës publike të pazënë për ndërtimin e banesave me kosto të ulët. Dhe jo vetëm kaq por rekomandohet dhe pajisja e energjisë elektrike, ujit, sanitimit dhe internetit në të gjitha spitalet, shkollat dhe institucione të tjera të shërbimeve sociale, duke përdorur gjeneratorë nafte, panele diellore ose teknologji të tjera të përshtatshme. Futja e teknologjisë së përparuar konsiderohet si një nga pikat kyçe të zhvillimit. OKB këshillon që të ngrohet zyra e një këshilltari shkencor pranë Presidentit apo Kryeministrit për të konsoliduar rolin e shkencës në politikëbërjen kombëtare.

Sachs: Zhvillimi është i përballueshëm financiarisht

Arritja e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit (OZHM) është e mundur – dhe e përballueshme financiarisht. Ky është mesazhi i përcjellë nga Raporti i Projektit të Mijëvjeçarit: Investimi në Kuadër të Zhvillimit – Një Plan Praktik për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Mijëvjeçarit. Ky Raport, i hartuar në kuadër të Projektit të Mijëvjeçarit, një organ këshillues i pavarur pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, nën drejtimin e profesorit të ekonomisë, Jeffrey D. Sachs, bën thirrje për përpjekje më të mëdha bashkëpunimi nga ana e të gjithë aktorëve: komuniteti ndërkombëtar i donatorëve, shoqëria civile, qeveritë e vendeve në zhvillim dhe sistemi i Kombeve të Bashkuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›