E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rajkard mendon për merkaton

03/02/2005  

Frenk Rajkard dhe Tksiki Begiristain (përgjegjësi i merkatos së Barcelonës), kanë folur për përforcimet e merkatos, në sezonin e ardhshëm. Për momentin, shumë do të përcaktohen nga fundi i këtij sezoni. Klubi kërkon të përforcohet në tre pozicione. Është shumë i rëndësishëm një mbrojtës qendror. Rajkard, aktualisht ka tre futbollistë që mund t`i përdorë në atë pozicion: Pujol, Oleguer dhe Markuez. Me të tre këta futbollistë titullarë dhe pa zëvendësues të denjë, është evidente që Rajkard mund të shqetësohet, në rast dëmtimesh.

Nuk ka dyshim që një mbrojtës do të jetë objektivi më i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm. Këtë e ka konfirmuar edhe trajneri, Frenk Rajkard, në një konferencë për shtyp: “Akoma nuk kemi vendosur për objektivat e ardhshme të merkatos, por sigurisht do të marrim një mbrojtës, për edicionin e ardhshëm të Primeira Division”.

Objektivi tjetër, për sezonin e ardhshëm është një portier. Drejtuesit katalanas janë shumë të kënaqur me portierin, Viktor Valdes, por ata dëshirojnë një zëvendësues të tij, të niveleve të larta. Jarkuera, aktualisht portieri i dytë i Barcelonës, nuk ka bindur deri tani. Nuk është problem kualiteti, por duke parë dëmtimet e shpeshta te klubi katalanas duhet një portier i dytë me peshë. Presidenti Joan Laporta, ka deklaruar se, për sezonin e ardhshëm prezenca e Viktor Valdez, si portier titullar nuk ka dyshim.

Sebastian Frei, portier që sezonin e ardhshëm do të largohet me siguri nga Parma, skuadër në situatë të vështirë ekonomike, mund të jetë alternativa më e mirë e Valdes, edhe pse duket e vështirë që Frei të pranojë pankinën.

Por, ajo që është për t`u nënvizuar është situata ekonomike e Barcelonës. Klubi katalanas nuk është në ditët më të mira. Nëse sezonin e ardhshëm, ishte e nevojshme të shpenzoheshin para për të ndërtuar skuadrën, këtë vit arka blugrana nuk premton për blerje të bujshme. Nuk vihet në diskutim, fakti se blerje me shifra si ajo e Samuel Eto, sezonin e shkuar nuk do të ketë. Kuota për t`u shpenzuar gjatë merkatos së verës së ardhshme, për Barcelonën do të jetë e kufizuar. Nuk mund të flitet kështu për “perandorinë”, Real Madrid, që do të shpenzojë në verë, plot 169 milionë euro...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›