E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ronaldo: Mund ta mposhtim Barçan

03/02/2005  

- Sulmuesi brazilian nuk i ka shpjeguar motivet e udhëtimit për në Brazil: “Ka qenë një problem familjar, por tani gjithçka është në rregull”-

“Ka qenë një javë shumë e çuditshme, por gjithçka është zgjidhur”. Ronaldo ka qenë mjaft i qartë, në intervistën e dhënë për televizionin Real Madrid, mbi udhëtimin e tij flash, në Brazil. Sulmuesi është kthyer në Spanjë dhe tani mendon vetëm të karikojë bateritë për takimin e ardhshëm: “Jam gati dhe në dispozicion të trajnerit, Vanderlei Luksemburgo, i cili është duke bërë një punë të mrekullueshme”.

- I keni zgjidhur problemet që ju detyruan të udhëtoni për në Brazil?

- Duhet të falenderoj drejtuesit e Real Madrid, për kohën që më dhanë, sepse për mua kanë qenë me të vërtetë, momente shumë të vështira. Arrita në qytetin tim shumë i shqetësuar, por për fat të mirë, çdo gjë ishte zgjidhur dhe tani jam i qetë. Më vjen keq që mungova në një ndeshje të rëndësishme, si ajo me Numancian, por shokët e mi të skuadrës treguan vlerat më të mira dhe fituan. Njerëzit ishin të habitur, sepse nuk e kuptuan nisjen time urgjente, që ishte për motive familjare.

- E keni ndjekur ndeshjen me Numancian, live?

- Po e pashë me familjen time dhe ishte e vërtetë që temperaturat ishin shumë të ulëta. Kemi vuajtur deri në një pikë të ndeshjes, por në fund kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme që na lejojnë të ndjekim të qetë, Barcelonën.

- Duke u kthyer te kampionati, do të jetë Ronaldo i gatshëm për ndeshjen e ardhshme?

- Nuk do të ketë asnjë problem për aktivizimin tim. Duhet të stërvitem me intensitet, sepse kam humbur disa seanca stërvitore dhe do të jem në dispozicion të Luksemburgos. Duhet të punoj fort deri në fund të javës.

- Sa e mundur është të reduktohet distanca me Barcelonën?

- Jam i sigurtë se, kjo diferencë do të shkurtohet, por ne duhet të jemi të duruar. Ne duhet të punojmë shumë, pra të luajmë mirë dhe të fitojmë. Kemi akoma për të mësuar shumë, sepse Luksemburgo është duke bërë një punë të madhe dhe mendoj se i kemi të gjitha mundësitë, për të ecur përpara me këtë trajner.

- Keni dëgjuar për ndryshimin e barit në stadiumin “Bernabeu” ?

- Është një e re e mirë, sepse fusha aktuale është dëmtuar shumë nga moti i ftohtë. Shpresojmë që tapeti i ri të jetë më i mirë dhe kështu, ne do të kemi mundësi të ofrojmë më të mirën tonë. Do të jetë shumë e këndshme, nëse debutojmë në tapetin e ri me fitore.

- Real Madrid është njëra nga skuadrat e impenjuara në Ligën e Kampioneve. Sfida me Juventusin po afron. Çfarë mendon?

- Do të jetë shumë e vështirë për të dyja skuadrat. Tashmë Juventusin e njohim më mirë, sepse e kemi takuar edhe dy vite më parë. Janë më të mirët në Itali dhe për të shënuar një gol në portën e Bufon, duhet të harxhosh shumë energji. Do të jetë si një finale e madhe. Nëse fitojmë ndeshjen e parë në “Bernabeu”, me diferencë golash, do të jetë më e lehtë për në në takimin e kthimit.

- Sa shpesh e ndjek Ronaldo, Interin në TV?

- Akoma nuk e kam harruar atë skuadër, ata tifozë. Jam i dashuruar me ngjyrat zikaltër dhe gjithmonë kur kam kohë, i ndjek ndeshjet e Interit. Më vjen keq që distanca nga Juventusi është kaq e madhe, por gjithsesi ish-shokët e mi duhet të besojnë deri në fund, sepse Masimo Morati, është një president që meriton shumë.

- Marca ka shkruar se, mund të veshësh bluzën e Juventusit, nëse në Madrid, sezonin e ardhshëm vjen Adriano...

- Unë jam një futbollist i Real Madrid dhe do të jem kështu deri në fund të 2007-ës, vit, kur skadon kontrata ime. Nuk kam menduar asnjëherë të largohem, por ju premtoj se nuk do ta vesh kurrë fanelën e Juventusit.

- Santiago Solari ka rinovuar kontratën. Si e shikon?

- Duhet të jemi të gjithë të kënaqur. Shpresoj që edhe Çezar, Celades dhe Figo, të rinovojnë kontratat e tyre, sepse janë futbollistë të mëdhenj dhe mbi të gjitha, ne jemi shumë miq. Mund t`ju them se, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me njëri-tjetrin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›