E Hënë, 2 Nëntor 2026

Venger: Harrojeni titullin

03/02/2005  

Mançester Junajtid i ka dhënë një goditje të fortë, shpresave të Arsenalit, për mbrojtjen e titullit, pas fitores 4:2, në “Hajburi”. Dhe në këtë mendim u bashkuan të dy trajnerët e

skuadrave. I pyetur, nëse Arsenali tani ka dalë nga rruga për titull kampion, Ferguson i deklaroi Sky Sports Neës: "Mendoj se po. Ne, të dy menaxherët theksuam përpara ndeshjes se, skuadra që humbet, nuk ka më shans për një titull të mundshëm kampion. Dhe, unë besoj në ato që deklaruam". Dy golat në pjesën e dytë, nga portugezi Kristiano Ronaldo dhe një tjetër, nga zëvendësuesi Xhon O'Shi, kthyen humbjen në fitore, për skuadrën udhëtuese, ndërkohë që e ngritën Mançester Junajtid, në vendin e dytë, tetë pikë pas Çelsit favorit. "Ne ishim dy herë në disavantazh, por skuadra tregoi përqëndrim dhe karakter, shtoi Ferguson. Këto janë karakteristika të skuadrës sime. Ishte një nivel fantastik". I pyetur për shanset që ka Mançester Junajtid, që ta rivalizojë Çelsin në luftën për titull kampion, i pari për skuadrën londineze, pas 50 vjetësh, Ferguson, theksoi: "Ne duhet të fitojmë çdo ndeshje, megjithatë në fund të sezonit mund të mos e fitojmë kampionatin". "Por, mendoj se gjëja më e rëndësishme është që ne treguam nivel të lartë, jemi në një formë që na jep shanse, nëse Çelsi do të gabojë", shtoi Ferguson. Trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ishte dakord me analizën e bërë nga Ferguson. I pyetur se, pas kësaj humbjeje, Arsenali është jashtë luftës për titull, Venger u përgjigj: "Po, kështu duket. Ne nuk do të dorëzohemi, por tani pozicioni ynë është shumë larg Çelsit". Trajneri i Arsenalit e vuri gishtin, në lojën mbrojtëse të skuadrës së tij, duke veçuar portierin spanjoll, Manuel Almunia, përgjegjës në golin e tretë. "Ne punuam shumë për golat që realizuam, ndërsa kundërshtari e pati shumë të thjeshtë. Goli i tretë kishte vlera psikologjike vrasëse. Nga ai moment, ne nuk mund të ktheheshim më në lojë. Jemi të zhgënjyer, por do të vazhdojmë luftën”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›