E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rajs emëron një ekip mbikëqyrës

Autori i Lajmit: red.
“Departamenti i Shtetit thotë se nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Uilliam Bërns, do të kryesojë një ekip prej tre zyrtarësh të lartë, të cilët do të koordinojnë procesin e dorëzimit të detyrave në agjencinë tepër të rëndësishme të administratës së ardhshme”

Sekretarja Kondolesa Rajs emëroi një ekip zyrtarësh të lartë të Departamentit të Shtetit për të mbikëqyrur tranzicionin në agjencinë e politikës së jashtme të SHBA-së të adminiatratës së ardhshme amerikane. Ndihmësit e politikës së jashtme të presidentit të ardhshëm, qoftë Senatori Obama apo senatori Xhon Mekejn, pritet të fillojnë punën në zyrat e Departamentit të Shtetit, menjëherë pas zgjedhjeve të 4 nëntorit.
Departamenti i Shtetit thotë se nënsekretari i Shtetit për Çështjet Politike, Uilliam Bërns, do të kryesojë një ekip prej tre zyrtarësh të lartë, të cilët do të koordinojnë procesin e dorëzimit të detyrave në agjencinë tepër të rëndësishme të administratës së ardhshme. Bërns është zyrtari i tretë më i lartë i Departamentit të Shtetit dhe ka qenë ambasador i SHBA-së në Moskë. Detyrat e tij më të fundit përfshijnë mes të tjerash, rolin udhëheqës të SHBA-së në kontakte të rangut të lartë me Iranin mbi çështjen bërthamore. Ekipi i Bërnsit do të mbikëqyrë përgatitjen e dokumenteve të politikës për zyrtarët e ardhshëm mbi çështje të rëndësishme. Departamenti i Shtetit ka caktuar një numër të madh zyrash në nivelin përdhes të godinës, për ekipin e tranzicionit të punëve të jashtme të kandidatit që i fiton zgjedhjet, anëtarët e të cilit pritet të fillojnë nga detyra në zyrat e përkohshme, që ditën e parë pas zgjedhjeve. Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Shon Mekormak, tha se sekretarja Rajs pret t i bashkohet zotit Bërns dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të Departamentit të Shtetit, në informimin e homologëve të tyre të ardhshëm, me t u shpallur emërimet për postet kryesore në Departametin e Shtetit. Megjithatë, Mekormak tha se Rajs dhe kolegët e saj nuk kanë qëllim t i ndajnë bashkarisht detyrat e formulimit të politikave, për të cilat ai tha se do të mbeten në kompetencat e administratës Bush, deri në momentin kur të përurohet Presidenti i ri në muajin janar. “Presidentët zgjidhen çdo 4 vjet. Ata janë për një kohë të caktuar dhe po ashtu edhe zyrtarët e tyre dhe ne e dimë që mandati i tyre përfundon më 20 janar në orën 12:01 të drekës të vitit 2009. Deri në atë moment, në post është një komandant i përgjithshëm dhe sekretarë kabineti, të cilët janë zyrtarisht përgjegjës për një sërë detyrash dhe agjencish të kabinetit”, - tha zëdhënësi.
Zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit dhe shumë ambasadorë amerikanë jashtë vendit janë të emëruarit politikë të administratës së presidentit Bush dhe ata do të kërkojnë zyrtarisht dorëheqjen, menjëherë pasi të fillojë nga puna administrata e re. Një pjesë e këtyre zyrtarëve, megjithatë, janë njëkohësisht diplomatë karriere dhe mund t u kërkohet të qëndrojnë në postet aktuale, ose të marrin detyra të reja. FBI-ja, po punon për të vërtetuar të dhënat biografike të anëtarëve kryesorë të ekipeve të zotit Mekejn dhe Obama për politikën e jashtme dhe mbrojtjen, për t u siguruar që ata kanë një besueshmëri të nivelit të lartë. Presidenti Bush, dy javë më parë, krijoi një Këshill Presidencial për Koordinimin e Tranzicionit, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, "për ta bërë sa më të lehtë dorëzimin e detyrave".
Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›