E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton ligjin për SHKB-në

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi të mërkurën disa ligje të rëndësishme të miratuara ditët e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë, një ndër të cilat dhe ai “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme”. Ky ligj shkaktoi debate të shumta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërkohë që është kundërshtuar dhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë, i cili ishte përgjegjës për këtë draft, përfaqësuesit e organit të akuzës kërkuan që ndërhyrjet të bëheshin në një paketë ligjore ku të përfshiheshin katër ligje: ai i SHKB-së, ligji për prokurorinë, ligji për policinë gjyqësore, por dhe Kodi i Procedurës Penale. Vërejtet e Prokurorisë së Përgjithshme për ndërhyrjen në 4 ligje nuk u mirëpritën nga drejtori i SHKB-së. Sipas Asrit Halilajt, drafti për SHKB-në nuk ka fare lidhje me reformat në sistemin e drejtësisë, prandaj nuk mund të kërkohet kurrsesi ndërhyrja edhe në tre ligji të tjera. “Ky ligj nuk ka lidhje me reformat në sistemin e drejtësisë për sa i përket ligjit për organizimin e gjyqësorit apo të policisë gjyqësore. Ky ka ka vetëm një nen të vetëm që punonjësit e SHKB-së kanë atributet e policisë gjyqësore dhe më pas i referohet Kodit të Procedurës Penale”, - ka thënë ai. Ndërkohë që ligji është kundërshtuar dhe nga opozita. Sipas tyre, ligji i Qeverisë vë nën kontroll Policinë e Shtetit. Por këto kontestime nuk penguan mazhorancën që të kalonte në seancë ligjin për SHKB-në. Po dje, Topi ka dekretuar dhe ligjin “Për ratifikimin e “Marrëveshjes kuadër të huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEDB) për financimin e projektit “Rehabilitimi i spitalit rajonal të Shkodrës - faza e tretë”, ligjin "Për disa ndryshime e shtesa në ligjin nr. 7908, datë 05.04.1995 "Për peshkimin dhe akuakulturën", të ndryshuar dhe ligjin “Për disa shtesa e ndryshime në ligjin nr. 7928, datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar.

Ky lajm është publikuar: 23/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›