Rama: Zgjedhjet e ardhshme, rasti më i mirë për tu ndarë nga kjo qeveri

Kryetari i PS, Edi Rama, gjatë turit të tij elektoral kësaj radhe është ndalur në veri të vendit në qytetin e Shkodës, për t'u takuar me vullnetarët e rinj të këtij qyteti. Lideri i opozitës është pritur me shumë entuziazëm dhe i ka falenderuar të gjithë për pritjen e ngrohtë që i kishin rezervuar. Sipas Ramës, ka 18 vjet që politikanët e vjetër e tregojnë varfërinë si shënjestrën e luftës së tyre, por sot të gjithë shqiptarët pa përjashtim moshe ndihen më shumë të varfër. Kryesocialisti theksoi se sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë, pasi prej 4 vjetësh qeveria e Berishës nuk mbajti asnjë premtim.
Edi Rama u bëri thirrje të rinjve se nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme, për ta provuar ndryshimin e madh, ndryshimin e historisë. Lideri socialist, Rama theksoi se bindja se Shqipëria nuk mund të humbasë edhe 4 vjet të tjera duke mbetur në të njëjtat duar të paafta, të papërgjegjshme e të korruptuara, do t'i japin shumicës së papushtetshme forcën për t'i dhënë pushtet në 28 qershor ëndrrës së saj të parealizuar. Ka 18 vjet që politikanët e vjetër, u shpreh Rama na e tregojnë varfërinë si shënjestrën e luftës së tyre dhe prej 18 vjetësh shtohen shqiptarët e vënë në shënjestër nga varfëria. Sot Shqipëria është më e varfër se 4 vjet më parë. 4 vjet të tjera si këto janë absolutisht të padurueshme.Rama tha se ka 18 vjet që papunësia rritet bashkë me malin e premtimeve të politikanëve të vjetër. Sot Shqipëria është më e papunë se 4 vjet më parë. 4 vjet të tjera si këto janë absolutisht të papërballueshme.Ka 18 vjet, vijoi Rama që injoranca pushton hapësirë në parlament, në zyra shteti e në ekrane pavarësisht se politikanët i paguajmë për të na garantuar të kundërtën. Sot Shqipëria është më e pashkollë se 4 vjet më parë. 4 vjet të tjera si këto janë absolutisht të pajustifikueshme.Ka 18 vjet që dhuna e formave të çfarëdoshme s'do t'ia dijë për masat që politika na thotë se ka marrë e do të marrë kundër saj. Sot Shqipëria është më e dhunuar se 4 vjet më parë. 4 vjet të tjera si këto janë absolutisht të patolerueshme,- u shpreh kreu socialist, Rama. Sipas tij, ka 18 vjet që korrupsioni thith energji e të ardhura nga organizmi i shoqërisë sonë për t'i derdhur në xhepat e oborrtarëve të pushtetit të radhës teksa politikanët e radhës në pushtet përbetohen se do ta shfarosin korrupsionin. Në fakt ata bëjnë vetëm spostimin e kanaleve të korrupsionit nga një klientelë pushteti tek klientela e pushtetit tjetër. Sot Shqipëria është e kapur nga korrupsioni jo vetëm më keq se 4 vjet më parë, po në një formë që askush nuk mund ta imagjinonte 4 vjet më parë. 4 vjet të tjera si këto janë të pafalshme,- tha Rama. Kreu socialist, u shpreh se asnjëherë papërgjegjshmëria dhe i pari i punëve të këtij vendi nuk kanë qenë më bashkë sesa sot. Asnjëherë paaftësia dhe i pari i qeverisë së këtij vendi nuk kanë qenë më të njehsuar sesa sot. Asnjëherë korrupsioni dhe kryeministri i këtij vendi nuk kanë qenë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa sot. Ai theksoi se lajmi i mirë sot është se asnjëherë më parë sesa në 28 qershor shqiptarët e shqiptaret nuk e kanë pasur më të pastër përpara tyre rastin për t'u ndarë nga e vjetra e pangrënshme, e patretshme dhe e pazgjedhshme që Sali Berisha ofron për të tetëmbëdhjetin vit me radhë. Për t'u ndarë nga politika e dyfytyrësisë dhe e parimit "Bëni si them unë mos bëni si bëj unë,- u shpreh Rama, duke iu drejtuar qytetarëve të Shkodrës. Rama ka përsëritur edhe në Shkodër në takimin me vullnetarët thirrjen që askush mos ta lërë bosh vendin që i takon në betejën mes të ardhmes dhe së shkuarës. Lini gjurmën tuaj në historinë e re që po fillon ishte apeli përmbyllës i kryetarit të PS në këtë takim :"Nuk ka rast më të mirë se ky që na japin zgjedhjet e ardhshme për ta provuar këtë të vërtetë të madhe, duke mos e lënë bosh sot vendin që i takon secilit prej nesh në këtë betejë mes të ardhmes dhe së shkuarës. Ky është rasti juaj për të bërë histori miqtë e mi të rinj. Mos e lini të kalojë pa lënë gjurmën tuaj në historinë e re që po fillon,- përfundoi Rama.
Email This Klikime: 3
Email This Klikime: 3