E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama, 6 milionë euro nga buxheti i bashkisë për fushatën elektorale

>LSI: "Nuk i bashkuam votat, PS dhe PD bëjnë teatër". Kryemadhi: "Ne i kërkojmë që Kryetari i Bashkisë të reflektojë që buxheti të jetë transparent".
Edi Rama ka hequr 6 milionë euro që do t'i përdorë për fushatë elektorale, ndërkohë që nuk tregon destinacionin e tyre në Buxhetin e paraqitur në Këshillin Bashkiak. LSI, gjatë deklaratës për shpjegimin e votës deklaroi se nuk ka transparencë për buxhetin e Bashkisë së Tiranës. "Ne nuk po kërkojmë absolutisht asgjë, jo më pak se duam të dimë se çfarë është bërë me paratë e qytetarëve të Tiranës në 2008. Unë nuk di që ka ndonjë buxhet në Republikën e Shqipërisë, që kalon pa iu nënshtruar analizës së buxhetit të një viti më përpara. Po kështu, bëhet edhe buxheti i shtetit, madje kërkohet edhe i detajuar, i tillë kërkohet edhe fondi rezervë i kryeministrit dhe fondi rezervë i kontigjencës"-kërkoi me këmbëngulje Kryemadhi. Ajo la të kuptohet se Rama ka mbajtur një fond të madh rezerve që nuk e deklaron dhe mund të përdoret për qëllime elektorale.
"Ne nuk e dimë nëse kanë mbaruar projektet e vitit 2008, apo jo dhe themi të hedhim përsëri para, kur ne kemi dhe shumë fakte të tjera, që na rezultojnë që në buxhetin e 2009-ës, prandaj u kemi lënë mundësi që të ndërhyjnë, kur ata kërkojnë të hedhin para për të njëjtat gjëra, për të cilat është investuar apo janë inauguruar 2-3 vjet më përpara"- tha dje Monika Kryemadhi.

"Nuk bashkuam votat"
"Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka bashkuar asnjëherë votat me Partinë Demokratike, sepse ne këtë qëndrim kemi mbajtur gjithmonë"- shpjegoi Monika Kryemadhi duke iu përgjigjur interesit të medias mbi qëndrimin e LSI në krah të maxhorancës së djathtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Ajo solli disa shembuj të votimeve kundër të LSI-së kohët e fundit. "Ne, tha Kryemadhi, - kemi votuar kundër edhe në votimin që bëri Këshilli bashkiak për dy parkingjet nëntokësore, të cilat kishin pas tyre interesat e PS dhe PD". Duke vazhduar në këtë argument ajo tha se LSI ka votuar kundër edhe shumë vendimeve të tjera për dhënien e ambienteve me qira, të cilat janë çështje interesi të vogla të partive të ndryshme. "Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, konflikti midis dy partive të vjetra ishte se kush do të merrej me shpronësimin e unazës së madhe, çështje interesi, çështje shumë të vogla, çështje të cilat janë në kurriz të qytetarëve të Tiranës"- deklaroi Kryemadhi.  Grupi i LSI-së, theksoi Kryemadhi, në të gjitha mbledhjet e Këshillit Bashkiak ka për detyrë që të jetë zëri dhe fytyra e qytetarëve të Tiranës, që na kanë votuar dhe nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë Bashkinë e Tiranës, që të abuzojë me paratë e taksapaguesve të qytetit të Tiranës.

Kërkesat e LSI

"Ne kërkojmë që Kryetari i Bashkisë të reflektojë ndaj qëndrimeve dhe propozimeve tona me qëllim që buxheti i Bashkisë së Tiranës të jetë Buxheti i qytetarëve, gjithëpërfshirës dhe transparent"-u shpreh Monika Kryemadhi në deklaratën e saj.
 "Kemi kërkuar një shpjegim të detajuar të realizimit të Buxhetit të vitit 2008, çka nuk është reflektuar në mbledhjen e djeshme. Pa pasur një panoramë të qartë dhe të plotë të mënyrës së shpenzimit të parave publike nga Bashkia e Tiranës për vitin 2008, nuk mund të diskutojmë për prioritetet e vitit 2009"- tha Monika Kryemadhi. Duke iu referuar diskutimeve të komisioneve, Kryemadhi tha se "kemi kërkuar një transparencë më të madhe të mënyrës së hartimit të projekt-buxhetit 2009, procesin e marrjes së mendimeve nga drejtuesit e Njësive Bashkiake, të cilët kanë shprehur rezerva dhe kontestime të shumta mbi këtë projekt-buxhet, çka nuk është bërë as në mbledhjen e djeshme".
Ajo tha se është kërkuar rritja e fondeve për disa çështje të rëndësishme, sikurse janë ngrohja në shkolla e çerdhe, ngritjen dhe funksionimin e qendrave sociale për moshën e tretë, kategoritë në nevojë, paraplegjikët e tetraplegjikët, si dhe ngritjen e një thertoreje për qytetin e Tiranës, çka nuk ishte reflektuar as në mbledhjen e djeshme.
Duke vazhduar të rendisë kërkesat e paplotësuara të LSI për buxhetin, Kryemadhi tha se është kërkuar edhe shkurtimi i shpenzimeve administrative dhe rritja e fondeve për investime, veçanërisht në infrastrukturë, çka nuk ishte reflektuar në mbledhjen e djeshme.
"Kemi kërkuar detajimin e plotë të fondit të investimeve, në mënyrë që buxheti të mos jetë objekt i ndërhyrjeve dhe ndryshimeve të herëpashershme gjatë vitit, sikurse ka ndodhur gjate vitit 2008"-tha Kryemadhi. Ajo lëshoi kritika ndaj Edi Ramës, i cili, sipas saj, "duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij ligjore për votën që i kanë dhënë qytetarët, duke hequr dorë nga arroganca dhe duke marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit dhe duke iu përgjigjur shqetësimeve, pyetjeve dhe sugjerimeve të anëtarëve të Këshillit" Grupi i Këshilltarëve të LSI në Këshillin Bashkiak Tiranë, sipas Kryemadhit, kërkon që çdo qindarkë e taksapaguesve të Kryeqytetit dhe mënyra e shpenzimit të tyre të jetë një përgjegjësi e drejtpërdrejtë, të cilën do ta ushtrojmë ligjërisht dhe në mënyrë konstruktive.
Ndërkaq, e pyetur se çdo të ndodhë me projektbuxhetin në votimin e tretë, Kryemadhi la të kuptohet se LSI nuk ndryshon qëndrim. "Nuk besoj që Bashkia do të tregohet e papërgjegjshme sa të mos reflektojë për kërkesat tona konkrete"-përfundoi deklaratën Kryemadhi. 
 
***********************************************************
Sokol Dervishaj: PD votë politike, LSI votë për njerëzit

Sokol Dervishaj, Kryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë disa sqarime lidhur me procesin e votimit dhe qëndrimin e LSI. Ndër të tjera ai tha:  "Gjatë gjithë procesit të përgatitjes dhe të diskutimit të projektbuxhetit kam njoftuar të gjithë këshilltarët, të gjithë komisionet, që të sjellin dhe të paraqesin propozime konkrete, sugjerime dhe vlerësime që ata kanë, qoftë në mbledhjet e komisioneve, qoftë ti depozitojnë me shkrim nga të gjitha palët, nga të gjithë grupet e këshilltarëve në Këshill. Qëndrimi i LSI-së është një qëndrim shumë konstruktiv, sepse LSI-ja, sikurse nënvizoi edhe kryetarja e grupit, por edhe në mbledhjet e vazhdueshme që janë zhvilluar me këtë rast, ka paraqitur propozime konkrete. Nëqoftëse Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bëjnë atë teatrin e madh të radhës në çdo mbledhje këshilli, edhe në funksion edhe të asaj që ju thoni, por nuk paraqesin asgjë konkrete, grupi i këshilltarëve demokratë e votoi kundër dhe është shprehur kundër këtij projektbuxheti, por nuk ka paraqitur asnjë alternativë, asnjë sugjerim, asnjë propozim në mënyrën e përmirësimit të këtij projektbuxheti. Pra, është një votë politike. Vota jonë nuk është thjesht politike, është një votë në shërbim të qytetarëve, në shërbim të interesave të qytetarëve, të njerëzve që ne përfaqësojmë dhe të njerëzve që na kanë votuar".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›