E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: 8 dhjetori një ditë historike

11/12/2009  PS feston asocimin në PSE. Një tjetër festë në janar

Selia rozë organizoi një koktej me këtë rast për deputetët

Asocimi i PS-së në Partinë e Socialistëve Europianë u shënua si një ditë historike për kampin rozë. Për këtë arsye, lidershipi socialist kishte ideuar që për një ditë të tillë të organizonte një koktej, ku përfaqësuesit socialistë përmes gotave të verës të uronin njëri-tjetrin. Kështu, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama mblodhi deputetët e grupit parlamentar, por edhe kryetarë të PS-së nga degë të ndryshme të vendit, në një ceremoni për anëtarësimin e PS-së në Partinë e Socialistëve Europiane. Ndërkohë Rama gjatë fjalës së tij e quajti një moment historik për Partinë Socialistë dhe për të gjithë anëtarët e saj pranimin e forcës politike që drejton në gjirin e PSE-së në kongresin e Pragës. Por gjatë këtij takimi kreu socialist i mëshoi sërish të drejtave që ka sot PS-ja në PSE. “Partia jonë me unanimitet të plotë u pranua nga Kongresi i PSE-së si anëtare me të drejtë vote në partinë e socialistëve dhe progresistëve europianë. Sot ne kemi përfaqësuesin tonë edhe në presidencën e kësaj force të madhe të politikës evropiane”, - vlerësoi Rama lidhur me këtë çështje. Megjithatë, ndalur në vetë historinë e kësaj partie 19-vjeçare Rama veçoi pikërisht këtë ditë, pra datën 8 dhjetor, ditën në të cilën u anëtarësua PS-ja. “Një histori që, si të gjitha historitë, ka momentet e veta të bukura dhe ato të trishta. Por pa asnjë dyshim historia jonë është ana më njerëzore e historisë së politikës shqiptare, pamja më intriguese e saj me debate, sfida e drama të një familjeje politike që asnjëherë, askush tjetër s’qe në gjendje t’ia ofronte publikut në këta 19 vjet, paçka se ndodhi jo një herë që demokracia e brendshme të kthehej në një telenovelë të zakonshme”, - vlerësoi Rama. Duke vijuar në këtë linjë, ai nxitoi të shtonte se “nuk do të ngurroja ta quaja ogurmirë futjen tonë në Partinë Socialiste Europiane më 8 dhjetor, 19 vjet pas 8 dhjetorit që lëvizi derën e bunkerit ku Shqipëria qëndroi e ndryrë dhe krejt e izoluar nga Europa e bota për thuajse gjysmë shekulli”. Po kështu, Rama u ndal dhe në betejën që ka përpara PS-ja. “Le të shërbejë kjo arritje e bukur si një burim i ri energjie dhe vendosmërie në betejën e madhe për demokraci, ku Partia Socialiste është angazhuar aktualisht me të gjitha forcat dhe ku patjetër do të arrijë qëllimin e saj për t’i dhënë më në fund Shqipërisë mundësinë të zhvillojë zgjedhje vërtet të lira e vërtet të ndershme të standardeve evropiane”, - nënvizoi Rama.

Festa në janar

“Kemi mbërritur një stacion me rëndësi strategjike për të nesërmen, jemi integruar në një realitet të ri europian dhe na takon të festojmë me të gjithë ata që e sollën Partinë Socialiste të Shqipërisë deri këtu, në një festë brezash, që do ta bëjmë në ditët e para të vitit të ardhshëm, me praninë e gëzueshme simbolike këtu në Tiranë të miqve të vjetër e partnerëve të rinj të Partisë Socialiste Europiane”, - kështu u shpreh kreu socialist Edi Rama gjatë fjalës së tij, duke bërë me dije se në janar do të pritet një tjetër festë me anëtarësimin e PS-së në PSE, por kësaj radhe me prezencën e drejtueseve të PSE-së dhe ish-themelues të PS-së. Ndërkohë po në janar do të mblidhet në Tiranë Komisioni për Evropën Juglindor i Internacionales Socialiste, ku Rama është kryetar i këtij komisioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›