E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shorti, dy gjyqtare për paditë e Ramës kundër Berishës

11/12/2009  Nisin shqyrtimet e padive

TIRANË – Hidhet në gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, shorti për paditë që Edi Rama në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë bëri kundër Kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe partisë që ai drejton. Një nga paditë do të shqyrtohet nga gjyqtarja Teuta Hoxha, ndërsa padinë tjetër e ka marrë në dorë gjyqtarja Elbana Lluri. Në padinë e parë që është dorëzuar tek gjyqtarja Teuta Hoxha, është i paditur Kryeministri, ndërsa në padinë e dytë kryetari i PD-së. Në të dy rastet është i njëjti emër. Bashkia e Tiranës kërkon që gjykata e Tiranës të marrë një vendim, i cili do ta detyronte kryeministrin të përgënjeshtrojë deklaratat dhe ta detyrojë atë të paguajë dëmin jo pasuror të shkaktuar nga cenimi i dinjitetit në shumën e 20 milionë lekëve. Edhe për padinë e dytë që është bërë kundër kreut të Partisë Demokratike, Edi Rama kërkon një dëmshpërblim prej 20 milionë lekësh, madje të bëjë edhe përgënjeshtrim. Një padi e tretë është regjistruar në gjykatë kundër ministrit Sokol Olldashi. Që të treja kanë të njëjtin objekt dhe kërkojnë të njëjtin vendim. Politika është trazuar kohët e fundit me deklarata të forta dhe me regjistrimin e padive të shumta në gjykatë. Ndërkohë që dje është hedhur një prej shorteve dhe ka përcaktuar gjyqtarët që do gjykojnë padit e Edi Ramës, në pritje janë edhe disa procese të tjera në qendër të të cilave janë emrat e politikanëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›