E Shtunë, 31 Tetor 2026

Festa për 19-vjetorin e PD-së jo më 12 dhjetor

11/12/2009  Demokratët do të festojnë ditën e themelimit të partisë gjatë kongresit

Partia Demokratike nuk do të festojë më 12 dhjetor ditën e themelimit të saj. Ditën e shtunë bëhen plot 19 vjet nga krijimi i PD-së, por këtë vit nuk do të zhvillohet ndonjë ceremoni e veçantë, sikundër është bërë vitet e tjera. Burime brenda PD-së bëjnë me dije se ka arsye për mosorganizmin e një feste për nder të themelimit të partisë. Arsye kryesore lidhet me zhvillimin e kongresit vetëm dy ditë më votë. Kështu që në PD është menduar që kongresi i 14 dhjetorit të organizohet në formën e një feste të vërtetë të fitores së PD-së dhe të gjitha arritjeve, sidomos gjatë vitit të fundit. Megjithëse është një kongres zgjedhor, ku pritet ripërtëritja e anëtarësisë së strukturave dhe votimi për kryetarin e partisë, mendohet se në këtë eveniment të jetës së brendshme politike të kujtohet edhe themelimi i PD-së. Gjatë këtij kongresi do të votohet edhe për të zgjedhur kryetarin e ri të PD-së. Por pa diskutim që të gjithë demokratët do të mbështesin liderin e tyre historik, kryeministrin Sali Berisha.

Kongresi i PD-së ishte parashikuar të zhvillohej pikërisht më datën 12 dhjetor, ditën e 19-vjetorit të krijimit të kësaj force politike, por angazhimet e kryetarit të PD-së, kryeministrit Sali Berisha, bënë të shtyhej ky aktivitetit kaq të rëndësishëm në jetën e brendshme politike të demokratëve. Gjatë këtij kongresi pritet që kryefjala të jenë pikërisht ndryshimet që ka pësuar vendi që prej marrjes në dorë të pushtetit nga PD-ja. Kështu, demokratët do të mburren me anëtarësimin e vendit me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO), fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, depozitimin dhe më pas pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, si dhe sinjalet tepër shpresëdhënëse se mesin e vitit të ardhshëm BE-ja do të marrë vendimin për liberalizimin e sistemit të vizave për qytetarët shqiptarë. Ky kongres përveç ripërtëritjes së strukturave do t’u shërbejë demokratëve për të ritheksuar qëndrimin e tyre në luftën e nisur që prej vitit 2005 ndaj krimit të organizuar dhe thellimin e tij, duke vendosur në qendër të kësaj lufte “mafien e kollarisur”. Nga ky kongres do t’i përcillet edhe një herë mesazhi dhe ftesa opozitës për t’iu rikthyer jetës parlamentare dhe për të dhënë kontributin e saj në thellimin e reformave të domosdoshme në funksion të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Kongresi do t’u shërbejë demokratëve për të treguar edhe një herë forcën e tyre në drejtimin e vendit.

Të ftuarit

Në kongresin zgjedhor të PD-së, që do të zhvillohet më 14 dhjetor, do të jenë të ftuar kryetarë të partive aleate, pjesë e koalicionit qeverisës. Në këtë kongres mësohet se janë ftuar edhe përfaqësues dhe zyrtarë të lartë të partive të djathta evropiane nga vende të ndryshme të Europës. Po ashtu pritet që gjatë punimeve të këtij kongresi të marrin pjesë si të ftuar edhe përfaqësues të LSI-së, aleate e PD-së në qeverisjen e vendit.

Zgjedhjet

Kongresi i 14 dhjetorit, në bazë të statutit të PD-së, është një kongres zgjedhor, ku pritet ripërtëritja e anëtarësisë së strukturave dhe votimi për kryetarin e ri të partisë. Gjatë punimeve të organizmit më të lartë vendimmarrës të Partisë Demokratike delegatët do të votojnë për Këshillin e ri Kombëtar dhe më pas për Kryesinë e Përgjithshme. Pa diskutim që të gjithë demokratët do të mbështesim liderin e tyre historik, kryeministrin Sali Berisha.

Vizita në Vatikan

Arsyeja pse kongresi i demokratëve u shty me dy ditë ishte pikërisht angazhimi i kryeministrit Sali Berisha në një vizitë të rëndësishme jashtë shtetit. Kryeministri do të zhvillojë më datën 12 dhjetor një vizitë në Vatikan, ku do të pritet nga kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI. Vetë kryeministri Berisha ka njoftuar shtyrjen e datës së kongresit, duke bërë me dije angazhimin e tij tejet të rëndësishëm në Vatikan.

8 dhjetori

Pinjollët e Bllokut të vetmit që nuk festuan

Partia Demokratike përmes zëdhënëses së saj Erla Mëhilli deklaron se më 8 dhjetor, ditën e festës për rënien e perdes së hekurt nga qytetarët shqiptarë, nuk festuan pinjollët e bllokmenëve mizorë. Në deklaratë Mëhilli tha se pinjollët e tyre të Partisë Socialiste ishin të vetmit në Evropë që jo vetëm nuk morën pjesë në festimet e kësaj date, që ndan historinë, por dënuan festimin e saj. “PD-ja dënon këtë qëndrim unik në Evropë të Edi Ramës dhe grupit të pinjollëve të tjerë të bllokut dhe deklaron se në themel të bojkotit të Parlamentit, mohimit të vullnetit të lirë të qytetarëve dhe të bojkotit dhe denoncimit të 8 dhjetorit si antimiting nga Edvin Kristaq Rama dhe grupi punistomafioz në krye të PS-së qëndrojnë mbrojtja dhe krenaria e pinjollëve të bllokut për krimet e shëmtuara të etërve të tyre, qëndrojnë firmat e Kristaq Ramës për ekzekutimin dhe varjen e disidentëve dhe qytetarëve të pafajshëm edhe në vitin e rënies së Murit të Berlinit, qëndrojnë firmat e Xhelil Gjonit, të Sul Bushatit dhe ish-bllokmenëve të tjerë për internimin, burgosjen e fëmijëve, grave, burrave të pafajshëm në rrethet ku ata kanë drejtuar”, - thuhet në deklaratën e PD-së. Zëdhënësja demokrate theksoi se në themel të bojkotit të Parlamentit dhe etiketimit si antimiting të festës së 8 dhjetorit qëndrojnë interesat e aleancës punistomafioze, qëndrojnë mbi 500 mijë metër katrorë troje publike dhe private të grabitura. Ajo tha se në themel të qëndrimit të Ramës ndaj vullnetit të zgjedhësve, të provokimit të tij të ulët, duke mbushur Tiranën me plehra në prag të festës së 8 dhjetorit, qëndron amoraliteti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›