E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fini: Zgjedhjet në legjitimitet maksimal

11/12/2009  Kryetarja e Kuvendit takon në Itali kreun e vendit dhe Parlamentit

Napolitano pranon ftesën për të vizituar Shqipërinë

“Vlerësimi i Italisë dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar është se zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në legjitimitet maksimal dhe rezultati i zgjedhjeve nuk duhet dhe nuk mund të kontestohet. Jeta demokratike shqiptare duhet të hyjë në normalitet të plotë, sigurisht brenda Parlamentit”, - ky ka qenë reagimi i Presidentit të Parlamentit Italian Xhanfranko Fini në takimin që ai zhvilloi me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, gjatë vizitës së saj zyrtare në Itali. Vizita u cilësua si një dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dhe si një hap konkret në nxitjen dhe forcimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, që ekziston tradicionalisht mes dy vendeve. Nga ana e saj kryeparlamentarja, pasi vlerësoi dialogun e shkëlqyer mes Shqipërisë dhe Italisë, ftoi jo vetëm investitorët italianë të vijnë në Shqipëri, por edhe vetë presidentin Fini të vijë përsëri në Tiranë në pranverë.

Kryetarja e Kuvendit u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano, i cili tha se po pret me kënaqësi që së shpejti të vizitojë Shqipërinë. Ai vlerësoi progresin ekonomik, social dhe demokratik të Shqipërisë, duke theksuar mbështetjen e plotë të Italisë jo vetëm për liberalizimin e vizave, që pritet të finalizohet në korrik të vitit të ardhshëm, por edhe për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.

Takimi me ish-presidentin e Parlamentit të Italisë, Ferdinando Kasini, ishte një tjetër zhvillim i vizitës së Topallit në Itali. “Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe ne ju mbështesim plotësisht në realizimin e të gjitha ambicieve tuaja integruese. Italia do të jetë gjithmonë një ndër përkrahëset më të fuqishme të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane deri në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”, - tha ai. Kasini dhe Jozefina Topalli ndanë mendimin se marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore mes të dy vendeve janë një bazë solide për të zgjeruar dhe thelluar më tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›