E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manifestimi në Tiranë më 21 dhjetor

11/12/2009  Lidershipi socialist rinis javën e ardhshme protestat për hapjen e kutive

PS kushtëzon kësaj radhe hapjen e kutive me zgjedhjet e parakohshme

Protestat sërish në qendër të aksionit politik të Partisë Socialiste. Javën e ardhshme startojnë tubimet për transparencën e zgjedhjeve, duke rimarrë dhe një herë tjetër të njëjtën iniciativë që u ndoq përgjatë muajve të kaluar. Ndërkohë do të jetë data 21 dhjetor kur do të kulmojë i gjithë ky organizim, ku përmes një manifestimi në kryeqytetin shqiptar mbështetësit e Partisë Socialiste përmes sloganit “Berisha hap kutitë ose largohu” do t’i rikërkojnë mazhorancës dhe kreut të saj hapjen e kutive të votimit. Por kësaj radhe, ndryshe nga protestat e kaluara, nuk do të bëhet fjalë më vetëm për rinumërim votash, por kësaj kërkese i vishet dhe një tjetër arsye pse duhet të realizohet transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Kështu, nëse kreu i ekzekutivit Sali Berisha nuk do të pranojë të hapë kutitë, duhet të ketë të qartë tashmë aksionin e kampit opozitar, i cili si hap të radhës do të ketë çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë mënyrë tashmë është e qartë strategjia që po ndjekë PS-ja. E këtë synim socialistët e kanë deklaruar tashmë që në shpalosjen e sloganit që do të shoqërojë të gjitha manifestimet që do të organizojë ky kamp përgjatë kësaj kohe. Ndërkohë do të jenë Vlora, Shkodra, Berati qytetet që javën e ardhshme e deri më 21 dhjetor do të mbledhin në sheshet e tyre anëtarë e simpatizantë të partive të majta për të kërkuar pikërisht hapjen e kutive, në të kundër zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Por aksioni i Partisë Socialiste do të mbështetet edhe nga partitë e tjera aleate, si ato të majta (PSD, PDS, “G-99”, PBDNJ), ashtu dhe partitë e djathta që janë vënë në krah të kampit rozë së fundi, si PDK-ja e Nard Ndokës dhe PLD-ja e drejtuar nga Spartak Ngjela. Ndërkohë një vendim i tillë ende nuk është bërë zyrtar apo të jetë formalizuar në forumet drejtuese të selisë rozë. Megjithatë, në mbledhjen e fundit që kreu socialist zhvilloi me drejtuesit e partive aleate të PS-së u hodhën ide të ndryshme si për piketat ku duhej të përqendrohej ky aksion, ashtu dhe për mënyrën e organizimit të tij. Pritet që lidershipi socialist të bëjë publik si ditën kur do të ristartojnë këto protesta, ashtu dhe axhendën që do të ndiqet për organizimin e tyre. Pra, PS-ja është e vendosur për të vijuar në një rrugë të tillë, duke mos hequr dorë nga bojkoti ndaj Parlamentit, ashtu dhe zhvillimin e manifestimeve në qytete të ndryshme të vendit, deri në plotësimin e kërkesës për transparencën e procesit zgjedhor.

Aksioni i radhës

Partia Socialiste rimerr sërish organizimin e protestave për hapjen e kutive. E në fakt një iniciativë e tillë ishte bërë deri diku e ditur që pas përfundimit të protestës së 20 nëntorit. Kështu, pas përfundimit të ultimatumit të vënë për kryeministrin Berisha, PS-ja vendosi që të ristartojë tubimet e saj. Për më tepër, janë vetë drejtuesit e partive politike ato që përgjatë këtyre ditëve i kanë mëshuar me forcë faktit se, nëse ndodh që të mos hapen kutive, lëvizja popullore e kryesuar nga PS-ja do të përshkallëzojë qëndrimin e saj, duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Protesta e 20 nëntorit

Kryefjala e kësaj proteste 3-ditore ishte pikërisht qëllimi për të cilën ajo u thirr: hapja e kutive të votimit. Të gjitha pankartat dhe banderolat e ekspozuara në të i referoheshin kësaj kërkese. Por dhe thirrjet e të gjithë përfaqësuesve politikë që mbajtën fjalën në podiumin e ngritur përpara godinës së Kryeministrisë lëshuan të njëjtin apel. E sikundër pritej, këto thirrje ishin të veshura me nota kritike dhe akuzuese ndaj kreut të ekzekutivit, ku fjalime pas fjalimesh u shigjetua në mënyrë të drejtpërdrejtë jo vetëm kryeministri Sali Berisha, por dhe përfaqësues të kabinetit qeveritar.

Faktori ndërkombëtar

Pavarësisht sinjaleve të qarta të lëshuara nga faktori ndërkombëtar, i cili i tërheq vëmendjen PS-së lidhur me qëndrimin e saj ndaj institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit, sërish kjo e fundit është e vendosur të mos heqë dorë nga bojkoti. Vetëm pak ditë më parë komisioneri për Zgjerimin, Olli Rehn, kërkoi nga politika shqiptare të ulet në diskutime, duke gjetur gjuhën e bashkëpunimit. Madje, në deklaratën e tij Rehn nuk hezitoi që të vinte theksin në faktin se situata konfliktuale mes opozitës dhe pozitës po ndikon negativisht në procesin për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›