E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Berisha nuk hap kutitë, po tallet çdo ditë me popullin”

15/12/2010  Opozita e Bashkuar vazhdon protestat në Durrës për votën e lirë

Aleatët shprehen se kjo qeveri po i mban shqiptarët të izoluar nga Evropa

Opozita e Bashkuar ka rinisur pasditen e djeshme protestat në qytetin e Durrësit. Pas protestës së 6 dhjetorit në Pogradec, Opozita e Bashkuar u shpreh e bindur se “protestat do të jenë të pandalshme për të çliruar vendin nga kthetrat e oborrit të korrupsionit”. Nga qyteti i Durrësit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzoi qeverinë për plaçkitjen e Shqipërisë, siç tha ai, përmes grabitjes së votave. Në protestën e radhës për transparencën e zgjedhjeve, nën moton “Sali Berisha dështoi, transparencë”, Rama tha se është e pafalshme dhe e papranueshme që Shqipëria sot të jetë kaq e pambrojtur dhe të mos jetë si vendet e tjera të Evropës. “Është shumë e rëndësishme që ne të çlirojmë votën, sepse vetëm duke çliruar votën, ne çlirojmë një ekonomi, në çlirojmë drejtësinë, demokracinë, çlirojmë arsimin dhe shëndetësinë, pasi vetëm kur të varet nga populli, nga vota e tij, qeveria do të sillet me popullin si shërbëtore e tij. Për sa kohë që qeveria do t’ia marrë popullit votën edhe kur populli nuk ia jep, do ta trajtojë popullin si skllav, si rob, si vartës, do tallet me popullin siç tallet Saliu përditë”, u shpreh Rama. Duke nënvizuar bindjen e opozitës për të çuar deri në fund çështjen e saj për garantimin e zgjedhjeve të lira në vend, kryesocialisti tha se protestat do të jenë të pandalshme për të çliruar vendin nga kthetrat e oborrit të korrupsionit. Rama theksoi se qeveria refuzoi zgjidhjen e opozitës për një angazhim të përbashkët për zgjidhjen e problemeve të vendit. “Ne, - tha ai, - i kemi ofruar qeverisë 3 zgjidhje në emër të interesave të vendit, por u refuzuan si të ishin herezi”. Ndërkohë Nard Ndoka, kreu i PDK-së, i është bashkuar sot protestës së Opozitës së Bashkuar në Durrës. Nga qyteti bregdetar Ndoka bëri përgjegjës për përmbytjet në Shkodër mazhorancën, duke kërkuar kështu largimin e saj. “Kjo mazhorancë ka frikë nga opozita, e cila ka për detyrë të tregojë se kush janë fajtorët e përmbytjeve në Shkodër. Qeveria është përgjegjëse për përmbytjet. Prandaj duhet ta largojmë këtë qeveri”, theksoi Ndoka. Edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, bëri thirrje nga qyteti i Durrësit për bashkimin e të gjithë qytetarëve që duan të fitojnë “luftën” ndaj qeverisë, siç tha ai. “Kjo qeveri po na mban larg Evropës, prandaj le të bashkohemi të gjithë për ta larguar”, u shpreh Dule.

Rama për votën

Rama tha se është e pafalshme dhe e papranueshme që Shqipëria sot të jetë kaq e pambrojtur dhe të mos jetë si vendet e tjera të Evropës. “Është shumë e rëndësishme që ne të çlirojmë votën, sepse vetëm duke çliruar votën, ne çlirojmë një ekonomi, në çlirojmë drejtësinë, demokracinë, çlirojmë arsimin dhe shëndetësinë, pasi vetëm kur të varet nga populli, nga vota e tij, qeveria do të sillet me popullin si shërbëtore e tij. Për sa kohë që qeveria do t’ia marrë popullit votën edhe kur populli nuk ia jep, do ta trajtojë popullin si skllav, si rob, si vartës, do tallet me popullin siç tallet Saliu përditë”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›