E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thellohet tragjedia, shkon në katër numri i viktimave

Autori i Lajmit: red.
Thellohet tragjedia e Butrintit, shkon në katër numri i viktimave të nxjerra nga liqeni dhe një 17-vjeçar rezulton ende i zhdukur. Trupi i katërt u nxor dje nga thellësitë e liqenit pas kërkimeve intensive të polumbarëve. Nuk dihet nëse trupi i katërt, i gjetur, ka udhëtuar në të njëjtën varkë që u përmbys ditën e dielë me 13 persona në bord. Policia dyshon se ky trup i gjetur pranë vendit ku u mbyt varka i përket mbrëmjes së tragjedisë. Kufoma e moshës rreth 20-25 vjeç që u gjet, është dërguar në morgun e spitalit të Sarandës, ashtu si trupi tjetër që u gjet rreth orës 11:20 minuta. Prindërit e 17-vjeçarit të humbur deklaruan sërish se as kjo kufomë nuk i përket djalit të tyre që konsiderohet i humbur prej mbrëmjes së të dieles. Me trupin e mbytur të gjetur dje rreth orës 13:00, tragjedia në Liqenin e Butrintit shënon 4 viktima. Në Sarandë nuk ka familjarë që kërkojnë të humbur përveç familjes së adoleshentit Ndriçim Myftari nga Lushnja.
Dyshimi
Policia dyshon se trupi i përket një prej organizatorëve të trafikut të klandestinëve mbrëmjen e së dielës. Pas deklarimit të babait të 17-vjeçarit se trupi i mbytur nuk i përket djalit të tij, ekspertë mjekoligjorë këqyrën me imtësi kufomën. Dyshohet se kufoma mund të jetë rreth 30 vjeç dhe t i përkasë një prej trafikantëve që tentoi të kalojë në bregun grek varkën me 13 persona, e cila u mbyt nga mbipesha. Menjëherë pas tragjedisë, u shpallën në kërkim organizatorët e këtij trafiku që shkaktoi tragjedinë. Trupat e pajetë u gjetën në 17 metra thellësi, falë kërkimeve të polumbarëve të RENEA-s që ndodhen në vendngjarje që natën e tragjedisë. Të mbijetuarit dëshmuan se tentuan të kalojnë kufirin në mënyrë ilegale për shkak të mungesës së dokumentacionit të ligjshëm për të prekur kufirin grek. Sipas tyre, kushtet ekonomike i detyruan të lënë atdheun për të gjetur punë në Greqi që të mund të mbanin familjet me të ardhura.
Tragjedia
Dy ditë më parë, rreth orës 19.18, shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar se në liqenin e Butrintit, mbas parkut, tek ish-Peshkimi, një grup i përbërë prej 20-25 personash, në tentativë për të kaluar në bregun tjetër të liqenit, në vendin e quajtur “Bufi”, për t iu shmangur postbllokut të shërbimeve të Policisë Kufitare të dislokuara pranë vendit të quajtur “Lundra”, duke përdorur dy varka druri, kanë tentuar të kalojnë nga Butrinti në Xarrë. Pasi kanë lundruar rreth 60 metra nga bregu, njëra nga barkat është përmbysur dhe personat kanë rënë në ujë.
Patrulla e Policisë Kufitare sapo ka konstatuar aksidentin, ka ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme për t u dhënë ndihmë personave të përfshirë, duke bërë të mundur shpëtimin e 7 personave. Me mbërritjen në orën 19.30, të përforcimeve nga Komisariatet e Policisë Kufitare dhe të Rendit të Sarandës, ambulancave dhe mjekëve të spitalit të Sarandës është bërë e mundur dhënia e ndihmës për personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Nga kontrolli i ushtruar rezulton se është mbytur shtetasja Elvira Demir Jaho, 22 vjeç, banuese në fshatin Lapardha 2, Berat, foshnja e saj, Klara Jaho, 3-muajshe. Identifikimin e 2 viktimave e bëri shtetasi Dritan Bahir Jaho, 27 vjeç, i cili është bashkëshorti i Elvirës dhe babai i Klarës, i mbijetuar, i cili është shpëtuar nga forcat e Policisë Kufitare, pasi ishte në ujë duke u mbytur dhe është shoqëruar për në spital ku ndodhet në gjendje shoku.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se barka e përmbysur ishte prej druri, dhe përdorej nga peshkatarët për gjuetinë e midhjeve, dhe në të kanë hipur 13 persona, të cilët kishin si destinacion kalimin e kufirit tokësor nga fshati Xarrë dhe më tej në Konispol për të kaluar në Greqi. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme janë shoqëruar 24 persona për t u intervistuar në lidhje me ngjarjen, mes tyre shtetasit Ahmet Bushi, 52 vjeç nga Qafë-Gjashta dhe Ilir Meta, 33 vjeç, nga Vrina, të dyshuar respektivisht si pronari dhe drejtuesi i varkës së përmbysur. Në Komisariatin e Policisë Sarandë ndodhen tashmë drejtues të policisë së qarkut Vlorë, të cilët së bashku me drejtues të Sektorit të Antitrafiqeve të Policisë së Shtetit po menaxhojnë situatën dhe po zhvillojnë hetime intensive për të përcaktuar rrethanat, shkaqet dhe personat përgjegjës për këtë aksident. Rritet bilanci i tragjedisë së mbrëmshme në Butrint me dy të humbur.
Hetimet
Policia e Shtetit bën të ditur se menjëherë pas ngjarjes, dhënies së ndihmës të dëmtuarve, shoqërimit të personave që kanë dijeni mbi rrethanat e hetimit, është krijuar një grup hetimor për ketë çështje. Mësohet grupi kryesohet nga Prokurori i Rrethit Gjyqësor Sarandë në përbërje të të cilit janë drejtuesit e policisë së qarkut Vlorë, drejtues të Policisë së Sarandës dhe drejtues të sektorit të antitrafiqeve në Policinë e Shtetit. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se nga tërësia e gjithë veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, ka rezultuar se drejtuesit e barkës së mbytur janë identifikuar dhe po punohet për dokumentimin e veprimeve të tyre në këtë ngjarje si dhe arrestimin e tyre. Gjithashtu, nga pyetja e personave të shoqëruar dhe nga tërësia e veprimeve të tjera policore, është bërë i mundur identifikimi i personave që kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.
Për arsye hetimi, emrat e katër të dyshuarve që organizuan këtë kalim të paligjshëm të kufirit nuk bëhen të ditur.

Ky lajm është publikuar: 22/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›