E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Berisha s’ka hallin e Marksit, por hallin e çunave të Bllokut të tij

TIRANË Nëse sistemi fiskal që propozon PS-ja është marksist, atëherë të tillë duhet të cilësohen edhe Obama, Merkel apo Sarkozy. Ky është qëndrimi që mbajti dje kryetari i opozitës, Edi Rama, në rrjetin social Twitter. Vetëm pak orë pas deklaratës së kryeministrit Berisha, Rama replikon në rrugë virtuale, duke sqaruar se politika që ai propozon po aplikohet në ShBA, Gjermani, Francë e gjetkë. “Ne jemi me marksistët Obama, Merkel, Sarkozy e Cameron, madje edhe me marksistin Berluskoni. Kurse Saliu është me çunat e Bllokut të vet”,- replikoi dje Rama. Ndërsa mbrëmë, kryetari i opozitës bëri edhe një vështrim të shkurtër mbi programin e propozuar dy ditë më parë, duke theksuar se Shqipëria nuk mund ta tolerojë më tutje politikën e taksës së sheshtë. “Infermierja që paguante 30 herë më pak taksa nga të ardhurat e veta ditën që Doktori u ngjit në qeveri, s’ka pse paguan sot 30 herë më shumë, ndërkohë që Doktori paguan më pak taksa sot që ka rrogën më të lartë në Shqipëri, sesa kur ishte në opozitë. Po ashtu, s’mund të paguajnë më shumë taksa ata që lekët i fitojnë me punë, njerëzit e zakonshëm, sesa ata që lekët i bëjnë me lekë, pra të pasurit. E nëse u referohemi “etërve” që Saliu i ka në majë të gjuhës, pra Enverit dhe Partisë së Punës ku militoi për njëzetë e ca vjet si bir i denjë i flamës së vitit ‘67, ata kishin pikërisht teorinë që taksat janë e keqja rrëgjuese e kapitalizmit. Ndërsa etërit themelues të botës demokratike taksat si kontribute sipas mundësive i konsiderojnë një çështje mirëfilli patriotike”, - shkruan Rama në faqen e tij online. Kryetari i PS-së shtoi se taksa e sheshtë sjell vetëm varfërim, polarizim, shkretim social. “Më e shëmtuara në retorikën egërsisht primitive të Saliut është se nuk e ka asfare filozofik qëndrimin e tij, gjë që mund të thuhet për mbrojtësit e ndershëm të teorisë së taksës së sheshtë, po e ka tërësisht në funksion të rritjes së pasurisë së oborrit të tij. Pra, s’ka hallin e Marksit ish-Sekretari fanatik i Enverit, po hallin e çunave të Bllokut të tij. Të cilëve u ka vënë në dispozicion sistemin fiskal të Shqipërisë dhe xhandarmërinë fiskale të qeverisë për t’i ndihmuar të bëjnë përditë nga një përshesh me taksën e ulur shesh e, më anë tjetër, të zhbëjnë punët e sipërmarrësve të tjerë, që nxirren me gjoba mafioze e shqelma pushteti nga tregjet e nga rrugët e konkurrencës”,- tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›