Ndoka: Aleksandër Meksi do të drejtojë Polin e Lirisë
Meksi prezantohet nesër si kryetar i bordit drejtues të Polit të Lirisë. Pjesë e bordit do të jenë dhe shumë figura politike dhe akademike.
"Ne ndeshemi me të njëjtin model qeverisës, ku vendin e Nanos e ka zënë Berisha dhe vendin e Angjelit, Olldashi.
Ish-Kryeministri demokrat, Aleksandër Meksi, prezantohet nesër në një takim të posaçëm, si kreu i grupimit më të ri politik në vend, Polit të Lirisë.
Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje vetë kryetari i njërës prej forcave kryesore të këtij grupimi, Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, gjatë një takimi elektoral në qytetin e Elbasanit, ku dhe ka prezantuar 14 kandidatët e tij për deputetë në këtë qark.
Ndoka ka bërë të ditur gjatë fjalës së tij se Kryeministri i parë i djathtë i pluralizmit në Shqipëri do të do të drejtojë grupimin politik Poli i Lirisë, si dhe do të jetë pika e referimit e të gjithë fushatës elektorale që do të zhvillojë ky grupim në ditët e ardhshme, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.
"Poli i Lirisë nuk është një krijim i rastësishëm, por një formacion real, ku bëjnë pjesë ish-Kryeministri dhe zëvendëskryeministrat e qeverisjes së PD-së gjatë viteve 1991-1997. Për herë të parë duhet të deklaroj publikisht se ish-Kryeministri Meksi do të jetë pjesë drejtuese e Polit", - u shpreh Ndoka gjatë fjalës së tij.
Bordi
Ndërkohë, burime pranë PDK-së kanë bërë të ditur se Meksi do të ketë një vend të denjë për një ish-Kryeministër, pasi do të jetë në krye të bordit drejtues të Polit të Lirisë. Përveç Meksit si kryetar, në pjesën drejtuese të tij do të jenë dhe Lazer Stani, si sekretar politik dhe deputeti aktual Gilman Bakalli, si zëdhënës politik. Pjesë e këtij bordi, që pritet të prezantohet i plotë ditën e mërkurë, janë disa figura të njohura të jetës politike dhe akademike të vendit, si Besnik Gjongecaj, Apollon Bace, Albert Karriqi, Aleksandër Bushati, Armando Bora, etj.
Poli i Lirisë pritet t'i sjellë jo pak kokëçarje grupimit tjetër të djathtë, që kryesohet nga Partia Demokratike, pasi përveç këtyre figurave të njohura që janë bërë pjesë e tij, pranë tij janë afruar dhe disa grupime sociale me peshë në këtë spektër, siç janë ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët. "Ne vijmë sot në aleancë me ish-pronarët, të cilët pritën me padurim kthimin e pronave, por morën zhgënjim e mosmirënjohje", - tha Ndoka në fjalën e vet, para simpatizantëve në Elbasan. Ndërkohë, bashkë me PDK-në, në këto zgjedhje është edhe komunitetit rom e egjiptian, të cilët do të kenë përfaqësuesit dhe kandidatët e tyre.
Akuzat
Ndoka është ndalur të komentojë edhe situatën brenda spektrit të djathtë, ku ka akuzuar forcat kryesore që qeverisin sot, si të implikuara në një sërë skandalesh, që jo rrallëherë morën dhe jetë njerëzish të pafajshëm, siç është dhe rasti i tragjedisë së Gërdecit. Duke iu referuar pikërisht kësaj ngjarjeje, ai nuk ka nguruar të deklarojë se, sa herë që përmendet Gërdeci, të vjen ndërmend Partia Republikane, kreu i së cilës, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është dhe i akuzuari kryesor nga prokuroria si shkaktar i saj. Prandaj, ka theksuar ai, sot PR-ja njihet si partia e Gërdecit.
Gjithashtu, ai nuk ka lënë pa akuzuar edhe Kryeministrin Berisha, si kreun e një kupole që, gjatë këtyre katër viteve rropi shqiptarët nëpërmjet aferave të dyshimta korruptive. "Ne ndeshemi në të njëjtin model qeverisës, ku vendin e Fatos Nanos e ka zënë Sali Berisha dhe vendin e Angjelit e ka zënë Sokol Olldashi. Tenderët dhe të ardhurat tona janë në duart e 10-15 personave të kupolës së shtetit shqiptar. Për këtë arsye ne do të rrëzojmë modelin Berisha", - tha Ndoka.
Ai është përpjekur të bëjë dhe diversion brenda vetë kampit demokrat, duke deklaruar se Kryeministri Berisha, në qershor të vitit 2007, punoi kundër zgjedhjes së Bamir Topit President dhe se ka dashur të zgjedhë ish-Kryeministrin Nano në këtë post.