E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Qeveria “Rama” do të rimbursojmë tarifën

02/05/2009  Partia Socialiste lëshoi sërish thirrjen për pajisjen me karta

“Berisha me vendosjen e kësaj takse ka prekur rëndë të drejtën kushtetuese”

“Shkoni dhe aplikoni, bëjeni sakrificën duke paguar taskën e fundit të qeverisë Berisha dhe rrini të qetë se më 29 qershor qeveria e re do t’jua kthejë”, - ky është apeli, njëkohësisht dhe premtimi i radhës i ardhur nga Partia Socialiste lidhur me procesin e pajisjes së shtetasve me letër njoftime. Kështu, referuar vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave për aplikimin e shtetasve pa pasaportë për karta identiteti, kundrejt një tarife prej 200 lekësh, socialistët nuk kanë vonuar të japin qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS Kastriot Islami, gjatë një komunikimi me mediet u bëri thirrje të gjithë shtetasve pa pasaporta të nxitojnë për aplikim. “Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjitha strukturave të PS-së të angazhohen maksimalisht në këtë proces, duke sqaruar të gjithë votuesit pa asnjë dallim për sakrificën e fundit e pagesës së kësaj takse prej 200 lekësh për të hequr Berishën nga pushteti më 28 qershor 2009. Vendimi i ri vetëm lehtëson sakrificat e votuesve, por moralisht vazhdon të ruajë taksën e votës, që nuk ekziston në asnjë vend të NATO apo BE”, - u shpreh Islami lidhur me këtë çështje. Deputeti socialist bëri me dije qëndrimin e PS-së kundër këtij vendimi të fundit të qeverisë “Berisha” sa i takon tarifës për aplikim. “Vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i përket tërësisht qeverisë ‘Berisha’. Ne nuk jemi autorë të tij. Ne mbështesim zbatimin e tij “in ekstremis”, por jo filozofinë e këtij vendimi. Qëndrimi i PS-së mbetet i njëjtë për sa i përket moralit dhe filozofisë së kësaj takse, ndonëse ajo është vetëm 200 lekë. PS-ja është në parim kundër kësaj takse, pavarësisht vlerës së saj”, - nënvizoi Islami. Për PS-në, sipas tij, çdo shtetas duhet të realizojë të drejtën e votës pa u taksuar nga qeveria, pasi e drejta e shprehjes së votës duhet të jetë e lirë. “Berisha me vendosjen e kësaj takse ka prekur rëndë të drejtën kushtetuese. Kjo natyrisht që është pjesë e sjelljes së vjetër, të kësaj qeverie që tenton të mbajë jashtë votimit qindra e mijë pensionistë, studentë dhe të rinj që votojnë për herë të parë, jashtë votimit. Sakrifica juaj me pagesën e përkohshme të kësaj takse prej 200 lekësh do të shërbejë për të hedhur në koshin e historisë përfundimisht edhe taksën, edhe Berishën”, - tha Islami gjatë fjalës së tij. Duke shkuar më tej, deputeti socialist u bëri thirrje të gjithë shtetasve “blini kartën për 200 lekë, bëjeni këtë sakrificë, sepse më 29 qershor 2009 qeveria e re me Edi Ramën kryeministër do t’jua kthejë këtë 200 lekësh”.

Berisha për kartat

Kreu i qeverisë ka pohuar arritjen e një marrëveshjeje me opozitën, e cila do të mundësojë një çmim të ri për personat që nuk janë të pajisur me pasaportë udhëtimi. “Jam shumë i kënaqur që u arrit marrëveshja. Në rast se ka persona që nuk janë në lista, në rast se ka persona që nuk kanë pasaportë, por nuk figurojnë as në lista, unë i jam shumë mirënjohës opozitës të gjejë secilin prej tyre. Jam i gatshëm të bashkëpunoj me ta në këtë fushë për të gjetur ata që kanë ngelur jashtë listave. Kjo është shumë pozitive. Vendimi po bëhet”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›