E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Çamëria, mes fqinjëve ka gjithnjë probleme

02/05/2009  Shefi i ekzekutivit deklaron se mediet punuan kundër interesave të vendit

Kryeministri Sali Berisha thekson se gjatë takimit me homologun e tij grek Kostas Karamanlis ka diskutuar rreth çështjes së popullsisë çame. Në konferencën e djeshme për shtyp Berisha nuk dha sqarime se çfarë ka biseduar apo çfarë i ka kërkuar homologut të tij grek, por është shprehur se mes fqinjëve gjithnjë krijohen probleme për t’u zgjidhur, por ajo që ka rëndësi është se midis dy vendeve tona ekziston një frymë dialogu për t’u dhënë zgjidhje atyre. Berisha theksoi se në atë takim është diskutuar mbi çështjen çame, duke u mbështetur në frymën e Traktatit të Fqinjësisë së Mirë mes dy vendeve. Ai vlerësoi se mediet shqiptare u nxituan të shpreheshin se gjatë takimit që pati me kryeministrin grek Karamanlis nuk u prek për asnjë çast problemi i të drejtave të komunitetit çam. “Meqenëse sërish mediet që punojnë kundër vendit të tyre vrapuan të thonë se Berisha nuk e diskutoi problemin, po ju them se unë e diskutova problemin dhe e diskutoj atë në çdo takim, pasi unë jam bashkëfirmëtar i atij traktati, i cili, për hir të së vërtetës, ka kthjelluar dhe vendosur shumë gjëra në interesin më të mirë të të dyja vendeve dhe unë as që e konceptoj të mos i qëndroj traktatit që kemi firmosur. Por dihet se pala tjetër ka mendimet e veta, ne kemi tonat. Dhe e vazhdojmë. Ky është qëndrimi im”, - ka deklaruar në konferencën e paradites së djeshme shefi i ekzekutivit shqiptar. Ai deklaroi se vizita e kreut të qeverisë së Greqisë ishte e suksesshme.

Gjatë takimit që dy kryeministrit zhvilluan pak ditë më parë në Tiranë janë vlerësuar marrëdhëniet shumë pozitive mes dy vendeve. Nga ana e tij Kryeministri Berisha ka theksuar se mes Shqipërisë dhe Greqisë nuk ka çështje të mbetura pezull. “Marrëdhëniet tona politike janë me të vërtetë të shkëlqyera dhe shumë të shëndetshme. Konstatuam se nuk ka probleme midis vendeve tona dhe ato janë zgjidhur nëpërmjet shpirtit të dialogut dhe bashkëpunimit”, - deklaroi Berisha. Në këtë bisedë nga pala shqiptare është vlerësuar maksimalisht respekti ndaj minoritetin grek në vendin tonë dhe nga pala greke integrimi i emigrantëve shqiptarë në shtetin helen. Berisha ka thënë se gjatë bisedimeve u diskutua për minoritetin grek në Shqipëri dhe emigrantët shqiptarë në Greqi. Ai pohoi se siguroi mbështetjen që qeveria shqiptare do t’i japë minoritetit grek. Nga ana e tij Kryeministri Karamanlis ka vlerësuar se minoriteti grek në vendin tonë është një nyjë tepër e fuqishme lidhjeje mes dy vendeve. Shefi i ekzekutivit helen tha se kriteret që duhen plotësuar në funksion të integrimit në BE janë zgjedhjet sipas standardeve evropiane: aplikimi i ligjit, lufta ndaj korrupsionit dhe respekti i plotë i të drejtave të njeriut dhe minoriteteve.

Qëndrimi i PDI-së

Kryetari i partisë që mbron të drejtat e popullsisë çame, BDI, Tahir Muhedini ka deklaruar mbështetjen e plotë ndaj qëndrimit që Kryeministri Berisha ka mbajtur duke mbrojtur interesat e çamëve. Muhedini ka thënë se deklaruat e kreut të qeverisë në takimin me homologun e tij grek se mes dy vendeve nuk ka çështje të mbetura pezull “mund të ketë qenë një gabim në përkthim”. “PD-ja, në mënyrë të veçantë Kryeministri Berisha, ka dhënë një kontribut mjaft të madh për çështjen çame. Ishtë PD-ja që në vitin 1992 caktoi deputetë me origjinë çame, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Ishte ish-presidenti Berisha që në vitin 1996 nënshkroi Traktatin e Miqësisë me Greqinë, por që nga viti 1997 deri në vitin 2005 nuk funksionoi dhe kështu nuk u fol aspak për çështjen çame. Me ardhjen e PD-së në pushtet kishim dhe kemi besim për zgjidhjen e kësaj çështjeje”, - ka deklaruar Muhedini. Ndërkohë gjatë ditës së djeshme BDI-ja ka nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim politik me PD-në gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Muhedini tha se Berisha kishte deklaruar se do të ishte avokat i çështjes së popullsisë çame.

Berisha për kufijtë

Kryeministri Berisha ka hedhur poshtë lajmet se ndarja e kufijve detarë në bazë të marrëveshjes së nënshkruar pak ditë më parë mes dy qeverive cenon integritetin territorial të vendit dhe se gjithçka është bërë në interes të Greqisë. “Ky është një trillim i bazuar në gënjeshtër. Në mënyrë absolute pala shqiptare ka përdorur hartën e marinës së Republikës së Shqipërisë. Së dyti, është përdorur Konventa Ndërkombëtare e Detit, e sugjeruar kjo nga miqtë tanë më të mirë, si dokument bazë për zgjidhjen e problemit. Aty ka një hartë shqiptare dhe, nëse jeni të interesuar, shkoni tek Flota dhe merrni hartën shqiptare. Ju garantoj se nuk është hartë greke”, - ka thënë ai.

Qëndrimi zyrtar

Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes kanë deklaruar ditën e djeshme se pretendimi që kanë medie të caktuara për ndryshim kufijsh është i pavërtetë dhe një trillim i pastër. Përmes një qëndrimi zyrtar dy institucionet theksojnë se “ky abuzim i hapur me qëllime qartësisht dashakeqëse ndaj interesave tona kombëtare bëhet duke shtrembëruar faktet dhe të dhënat mbi sistemet që përdoren në hartat detare dhe për rrjedhojë hamendësohen skenarë fantazmë të cenimit të hapësirave detare”. Sipas përfaqësuesve, përcaktimi i koordinatave gjeografike është bërë mbi bazën e sistemit ndërkombëtar gjeodetik, sistem botëror i koordinatave, dhe se parimi i përdorur për përcaktimin e vijës kufitare është ai i baraslargësisë.

Integrimi europian

Berisha: Aplikimi në konsensus me BE-në

Kërkesa për statusin e vendit kandidat të vendit tonë në Bashkimin Europian është miratuar konsensualisht nga të gjitha palët. Ky është thelbi i deklaratës që ka bërë Kryeministri Sali Berisha ditën e djeshme në lidhje me çështjen e aplikimit të vendit tonë drejtë integrimit evropian. Ai nënvizoi se kërkesa u depozitua në respekt të rregullave dhe funksionimit të BE-së për këto raste. Ai tha se pranimi për depozitimin e kërkesës erdhi edhe pasi nga BE-ja u vlerësuan reformave të qeverisë, të cilat në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Lubjanë u cilësuan si frymëzuese për suksesin e tyre për vendet e rajonit. “Kjo kërkesë u bë në përputhje me qëllimet e shpallura nga ne se kërkesën do ta paraqitnim në ujdi me presidencën e radhës dhe pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit nga të gjitha vendet anëtare”, - tha kreu i qeverisë. Berisha nënvizoi se, në rast se për shkak të mureve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, momenti i hapjes së negociatave deri në firmosjen e MSA-së i mori Shqipërisë tri herë më shumë kohë sesa Kroacisë dhe Maqedonisë, koha nga firmosja e Marrëveshjes deri në paraqitjen e kërkesës ishte më e shpejtë se e të gjitha vendeve të rajonit. Sipas tij, kjo si rezultat tërësor i suksesit të reformave të kësaj qeverie. Berisha tha se kërkesa për statusin e vendit kandidat u mirëprit nga presidenca çeke dhe pati një jehonë pozitive mbarë botërore. Kryeministri u shpreh se muaji i kaluar mund të cilësohet si periudha që ndau historinë. “Nuk do të thosha se Shqipëria këtë prill kaloi ylberin, por do të thosha u bë nuse. Nuk ka qenë kurrë më e bukur, më e dashur, më dinjitoze sesa me anëtarësimin e saj në NATO dhe kandidimin për anëtarësim në BE - dy projektet madhore të këtij kombi”, - tha Berisha.

Partia Republikane

Mediu: Vota është obligim politik dhe moral

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu ka deklaruar nga Fushë-Kruja se forca politike që përfaqëson ka në themel të saj familjen, si bazën e shoqërisë, dhe do përfaqësojë përherë interesat e të gjitha familjeve shqiptare. Gjatë një takimi elektoral ai tha se vota për PR-në është një obligim jo vetëm politik, por dhe moral për përfaqësuesit e kësaj partie, në mënyrë që të gjithë qytetarët të shohin të sigurt drejt së ardhmes. “PR-ja është dhe do të vazhdojë të jetë zëri juaj, zëri i arsyes. Vota juaj për Partinë Republikane në zgjedhjet e 28 qershorit do të mundësojë ecjen e mëtejshme në rrugën e reformave, investimeve, zhvillimit ekonomik. Ne jemi në pozita për ta thënë këtë, pasi mundësuam Shqipërinë në NATO dhe në një të nesërme të afërt do ta anëtarësojmë Shqipërinë edhe në BE”, - ka deklaruar kryerepublikani Mediu.

Qëndrimi i PD-së

Prilli është muaji i krizës për kreun e PS-së

Partia Demokratike ka deklaruar si të paqena dhe mashtrime deklaratat e mbajtura nga zyrtarë të Partisë Socialiste se varfëria në vend është rritur skajshëm. Zëdhënësja e PD-së Erla Mëhilli ka thënë dje se kryetari i PS-së Edi Rama po përpiqet të nxijë çdo sukses në historinë e këtij vendi me shpifje dhe trillime. Sipas saj, pavarësisht se Shqipëria është bërë anëtare e NATO-s, se u pranua me konsensus kandidimi i saj për t’ bërë vend anëtar në BE, se papunësia dhe varfëria është reduktuar, u rritën rrogat e pensionet, kreu i PS-së “mendon se muaji prill apo viti 2009 qenka më i keq sesa muajt e tyre në pushtet”. “Për Shqiptarët ky është prilli më i bardhë në historinë e tyre, kurse për Edi Ramën, që çdo sukses të kundërshtarit të tij dhe vendit të tij e konsideron disfatë të madhe personale, ky është prilli i krizës më të thellë, krizë nga e cila do të mund të shërohet vetëm me daljen përfundimtare nga politika më 28 qershor”, - tha Mëhilli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›