E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Deputetë e mi nuk do të shkojnë në kuvend. Blushi Seserit: Ti je budallaqe

Menjëherë pas mbledhje së parë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu në detyrë i saj, Edi Rama doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se deputetët socialistë do të kenë një marrdhëni të kushtëzuar me Parlamentin. "Partia Socialiste nuk hyn në parlament sepse e konsideron këtë institucion me legjitimitet të cunguar". Duke informuar për mbledhjen disaorëshe të grupit të ri parlamentar të PS-së, i cili u mblodh në Hotel "Tirana International", zoti Rama u shpreh se "grupi parlamentar i PS-së vendosi të ndërtojë një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Ne kërkojmë që parlamenti të vihet në dispozicion të transparencës mbi procesin zgjedhor. Ky parlament është një institucion me legjitimitet të cunguar, pasi është produkt i një maskarade zgjedhore", tha zoti Rama. Sipas tij, "PS do të bëjë çdo përpjekje për të vendosur në qendër të vëmendjes domosdoshmërinë që fenomeni i zgjedhjeve të 28 qershori të mos përsëritet më. Ky nuk është një bojkot në kuptimin tradicional, por është një qëndrim që kushtëzon hyrjen e PS-së në parlament, në mënyrë që të vendosen në qendër të vëmendjes të opinionit publik, të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me problematikën e rëndë zgjedhore", tha zoti Rama. Në këtë drejtim, ai informoi se "një grup pune do të bëjë propozimet përfundimtare mbi kushtet që do të vendosë PS-së". Në mbledhjen e djeshme, kryesia e Partisë Socialiste i përcolli grupit parlamentar të kësaj partie propozimin për një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin.


Fyerje mes deputetëve në mbledhje


Mbledhja e sotme e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka degjeneruar në batuta dhe fyerje personale. Teksa deputetët ishin mbledhur për të diskutuar mbi bojkotimin apo jo të punimeve të Kuvendit situata ka dalë jashtë kontrolli. Burimet konfidenciale thanë shumica e deputetëve kanë marrë fjalën duke dhënë mendimin e tyre në raport me faktin nëse është apo jo e duhur idea e bojkotit të Kuvendit. Teksa pozicionimet ishin të dukshme në kahe të kundërta situata është tensionuar ndjeshëm kur ka marrë fjalën deputetja e re e Durrësit Rudina Seseri. Ajo mësohet të ketë thënë se mbështet fuqimisht bojkotin e punimeve të Kuvendit teksa ka nënvizuar se “ndonjë këtu si Beni merret me vitin kur kam ardhur unë në Partinë Socialiste”. Në këtë moment ka ndërhyrë deputeti Ben Blushi i cili i ka kërkuar Seserit të tregojë se për cilin Ben e kishte fjalën. Seseri e sqaron se personi të cilit po i drejtohej për këtë çështje ishte Ben Blushi. Kaq ka mjaftuar që situata të ndërlikohet dhe sipas burimeve Blushi ka paralajmëruar Seserin të mos guxojë të merret me emrin e tij. Në debat e sipër Blushi i është drejtuar deputetes së Durrësit duke e cilësuar “budallaqe” madje duke ju drejtuar Ramës ka shtuar se “nuk e ke fajin t’i por ky që e ka mbushur grupin me budallenj si puna jote”. Më pas mësohet të ketë ndërhyrë Edi Rama i cili ka paralajmëruar Blushin se nuk mund të guxojë të fyejë asnjë deputet të Partisë Socialiste në mbledhje. Blushi i është drejtuar Ramës duke shtruar pyetjen “po t’i kush je që flet”. Situata pas shumë batutash dhe fyerjesh personale ka dalë jashtë kontrolli dhe shpëtimi është gjetur nga ish-kryeministri Pandeli Majko. Ky i fundit mësohet të ketë kërkuar pesë minuta pushim për të qetësuar gjakrat e deputetëve. Pasi ka rifilluar mbledhja është vendosur që punimet e Kuvendit duhet të bojkotohen dhe se duhet ngritur një grup pune që do të perpilojë modalitetet e rikthimit të mundshëm të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvend

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›