E Shtunë, 31 Tetor 2026

7.3 milionë USD për pajisje mjekësore

18/12/2009  Asistenca japoneze
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka nënshkruar një marrëveshje me ambasadorin japonez Hiroyasu Ando për zbatimin e projektit “Përmirësimi i pajisjeve mjekësore të qendrave rajonale të urgjencës”. Në bazë të këtij projekti, me vlerë 7.3 milionë dollarë, do të modernizohen pajisjet mjekësore të qendrave shëndetësore në 12 qarqe të vendit. Shefi i diplomacisë shqiptare, duke vlerësuar këtë marrëveshje, konfirmoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të forcuar edhe më shumë marrëdhëniet me Japoninë, vend i cili ka dhënë ndihmën për zhvillimin e vendit, me mbështetje të jashtëzakonshme ekonomike dhe financiare. “Bashkëpunimi ynë është i shkëlqyer dhe do të jetë edhe më i shkëlqyer në të ardhmen, duke sjellë rezultate konkrete në zhvillimin e Shqipërisë, por jam i bindur dhe në përshpejtimin e integrimit europian të vendit tonë”, - tha Meta. Nga ana e tij ambasadori japonez Hiroyasu Ando ka deklaruar se qeveria e vendit të tij do të vazhdojë mbështetjen ekonomike për Shqipërinë në të gjitha fushat. “Shqipëria është një vend shumë, shumë i rëndësishëm për Japoninë. Fushat parësore të asistencës sonë në të ardhmen për Shqipërinë do të jenë: infrastruktura, bujqësia, arsimi dhe shëndetësia”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›