E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të bëjmë çmos të përshpejtojmë largimin e “Berishës”

22/10/2009  PS jep mesazhin e radhës për mazhorancën qeverisëse

Pa hetim të zgjedhjeve që sapo lamë pas nuk mund të ketë një proces tjetër zgjedhor - ky ishte mesazhi i lëshuar dje nga selia rozë menjëherë pas deklaratës së ardhur nga Kryeministri Berisha. Kreu i PS-së, Edi Rama, nuk vonoi të japë qëndrimin e partisë që ai drejton lidhur me pozicionon e saj ndaj procesit zgjedhor që sapo lamë pas. Duke marrë shkas nga deklarata e Kryeministrit Berisha, në të cilën theksohej se kërkesa e PS-së për hapjen e kutive është absurde, kryetari socialist bëri të qartë vendosmërinë e socialistëve për të përshkallëzuar protestat deri në realizimin e një qëllimi të tillë. “Ne do t’i përshkallëzojmë protestat tona dhe do t’i japim përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe vartësve të tij sa në Ministrinë e Jashtme, sa në karrige të tjera të qeverisë, që përpiqen më kot të bëjnë sikur kjo çështje është mbyllur apo ekziston vetëm për opozitën. Kjo çështje ekziston për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, që sot më shumë se kurrë duhet të ndahen një herë e mirë nga zgjedhje të deformuara dhe të kontestuara, duke zbërthyer procesin zgjedhor që lamë pas dhe duke nxjerrë në dritën e diellit të gjithë mekanizmat që e kthyen atë në proces të deformimit të rezultatit dhe vullnetit të popullit”, - vuri në dukje Rama në fjalën e tij në bashkëbisedimin e zhvilluar me gazetarët. Nga ana tjetër, kryetari i PS-së shtoi më tej dozën e presioneve ndaj mazhorancës qeverisëse. “Nuk mund të ketë kurrë në Shqipëri një proces tjetër zgjedhor pa mbyllur një proces hetimor për zgjedhjet që shkuan. Nuk mund të ketë garanci në Shqipëri për zgjedhësit e zgjedhëset në procesin e ardhshëm zgjedhor pa u dhënë atyre të drejtën që të shohin në dritën e diellit se si qëndron e vërteta me procesin e shkuar zgjedhor. Ne jemi këtu për ta bërë të mundur atë gjë përmes aksionit politik, që pa asnjë dyshim nuk do të ndryshojë trajektoren e vet”, - u shpreh Rama lidhur me këtë çështje. Gjithashtu në emër të forcës që ai drejton Rama bëri të qartë qëndrimin e palëkundur të kësaj force për të vijuar më tej bojkotin, duke hedhur deri diku mesazhe të qarta për qëndrimet e mëtejshme të kësaj partie dhe për proceset e ardhshme zgjedhore. “Ne nuk do të hyjmë në Parlament. Është shumë herët dhe shumë larg, kështu që të jeni të sigurt se Sali Berisha do të jetë i detyruar të japë një përgjigje të menduar më thellë sesa kaq dhe të reagojë ashtu siç i takon kryeministrit të Shqipërisë, edhe pse për të është shumë e vështirë, sepse nuk është kryeministri i shqiptarëve, por kryeministri që u është imponuar shqiptarëve përmes vjedhjes së zgjedhjeve”, - vlerësoi Rama, duke shtuar se “kjo sigurisht, në pozicionin e tij, por edhe raportin me shqiptarët, ashtu siç komplikon marrëdhënien e këtij pushteti me Shqipërinë, ashtu siç komplikon marrëdhëniet me të gjitha problemet që ka sot Shqipëria, që ky pushtet jo vetëm nuk i zgjidh dot, por përkundrazi, është arsye më shumë që edhe të thellohen”. Ndërkohë ai nuk la pa përmendur dhe një tjetër fakt, duke theksuar se “ne do të bëjmë çmos që të përshpejtojmë fundin e kësaj qeverie dhe Sali Berisha nuk ka dy rrugë, ka vetëm një: t’i hapë rrugë hetimit të procesit zgjedhor të 28 qershorit, nëse nuk dëshiron që rruga e qeverisjes së tij të mbyllet shumë përpara kohe.”

Kërkesa

“Ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit për të bërë transparencë përmes komisionit hetimor parlamentar, i cili nuk është absolutisht një shkallë tjetër gjykimi dhe nuk ka të bëjë fare me procesin juridik, që u mbyll me vendimin e Kolegjit Elektoral. Janë dy gjëra të ndryshme, që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, por që Kryeministri i bashkon sepse kërkon t’i ikë me çdo kusht së vërtetës që fshihet në kutitë e 28 qershorit, së vërtetës së madhe se zgjedhjet janë grabitur, se vullneti i shqiptarëve është deformuar dhe se mekanizmi i deformimit ka qenë i orkestruar nga vetë pushteti”, - u shpreh Rama gjatë sqarimit lidhur me kërkesën e PS-së për hetim parlamentar të zgjedhjeve të 28 qershorit. Po kështu, duke mospranuar refuzimin që mazhoranca i bëri realizimit të një kërkese të tillë, Rama vuri në dukje se “pozicioni tërësisht absurd i Kryeministrit, i cili, pasi i ka vjedhur zgjedhjet e 28 qershorit, kërkon që me pushtetin e grabitur të mbajë në burg të vërtetën duke këmbëngulur se kutitë e 28 qershorit nuk mund të hapen. Për këtë Sali Berisha i referohet në mënyrën më qesharake për këdo që është i interesuar ta kuptojë kërkesën tonë faktit se në Kolegjin Zgjedhor është votuar kundër hapjes së kutive dhe rinumërimit”.

Media

Kreu i PS-së, Edi Rama, referuar raportit të “Reporterëve pa kufij”, vlerësoi se “notat negative janë asgjë në krahasim me realitetin shumë më negativ me lirinë e medies në Shqipëri”. Sipas tij, media në Shqipëri vuan si asnjëherë më parë rrezikun e asimilimit brenda një sistemi të korruptuar dhe korruptiv, që administrohet nga Sali Berisha. “Kryeministri nuk i padit dhe nuk ka nevojë t’i padisë gazetarët, sepse kërcënon vijimisht pronarët, që më pas ata bëhen barrë mbi gazetarët. Ky kërcënim më pas është i orkestruar sipas modeleve më kërcënuese për demokracinë, që janë modele të aplikuara në vende gjysmëdemokratike dhe në vende ku liria është e administruar nga pushteti”, - vlerësoi ai. Për këtë arsye, në gjykimin e Ramës s’ka asnjë diskutim se Shqipëria ndodhet në udhëkryq dhe funksionet e demokracisë janë të kërcënuara shumë seriozisht. Ndalur në protestën e 20 nëntorit në Tiranë, Rama deklaroi se “kemi edhe TVSH-në në atë horizontin e kërkesave dhe të shqetësimeve tona të mëdha, këtë televizion publik të kthyer në një vegël qorre të Sali Berishës, që sot më 2009 është turp për të gjithë shqiptarët që paguajnë edhe një taksë për këtë palo ekran, mbetet një ekran i pështirë dhe një pamje shumë besnike e gjithë kësaj maskarade që pushteti në Shqipëri bën me mediet”.

Raporti iKomisionit Evropian

Gjiknuri: Stad i ri i kapjes së shtetit nga pushteti i familjes

Partia Socialiste lëshoi një sërë kritikash ndaj qeverisë “Berisha”. Marrë shkas nga raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë, deputeti i i PS-së Damian Gjiknuri vlerësoi se “ky raport rithekson edhe një herë me forcë dobësitë sistematike të demokracisë shqiptare, përfshirë edhe komponentët e tjerë, aspak pozitivë, që lidhen me keqqeverisjen dhe politikat e ndjekura nga qeveria ‘Berisha’ në këto vitet e fundit”. Sipas tij, një nga fushat më problematike dhe që ka shënuar përkeqësim të dukshëm gjatë qeverisjes së Sali Berishës është drejtësia. Njëkohësisht në leximin e raportit socialistët veçojnë se në të vihet theksi edhe në ndërhyrjet politike të qeverisë në kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit. Sipas Gjiknurit, në këtë pikë vërtetohet ajo që është theksuar më herët nga opozita se familja Berisha gjatë mandatit të tij të parë, por edhe në vazhdim, ka ushtruar dhe ushtron trysni mbi pushtetin e pavarur të drejtësisë. “Shembuj të qartë të përuljes dhe intimidimit të drejtësisë në favor të interesave të Berishës janë pushimi i çështjeve që lidhen me skandalin e rrugës Durrës–Kukës, çështjen e Gërdecit, e pse jo edhe gjykimet e shpejtuara të Kolegjit Zgjedhor në favor të kërkesave të Partisë Demokratike”, - nënvizoi deputeti socialist. Madje, për Gjiknurin për herë të parë në leksikun politik të ndërkombëtarëve është përfshirë nocioni i kulturës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve, duke përbërë një stad tjetër të kapjes së shtetit nga familja që qeveris vendin. “Partia Socialiste e konsideron drejtësinë si garantin e demokracisë dhe kërkon nga gjithë faktorët dhe pushteti në vend, kryesisht nga qeveria, por duke mos lënë mënjanë as Presidentin e Republikës e KLD-në, që të ushtrojnë të gjithë ndikimin e duhur që gjendja në drejtësi të përmirësohet dukshëm”, - deklaroi Gjiknuri. Për këtë arsye, deputeti socialist bëri me dije se “PS-ja kërkon gjithashtu që t’i hapet rruga sa më parë ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet, me qëllim mundësimin e kontributit të opozitës në Kuvend në mbështetje të reformave të shumëpritura në këtë sektor”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›