Rama: Dyshoj në normalitetin logjik të Berishës
03/06/2010 Kampi rozë ashpërson gjuhën me kreun e mazhorancës qeverisëse, Sali Berisha, duke shkuar deri atje ku e akuzoi këtë të fundit për paqëndrueshmëri logjike. Ishte vetë kreu i PS-së, Edi Rama, i cili gjatë një deklarate për shtyp dhënë ditën e djeshme, nuk kurseu akuzat dhe kritikat për Kryeministrin Berisha. “Dyshoj fort sot në normalitetin logjik të zotit Berisha. Kryeministri i Shqipërisë ka probleme serioze me kuptimin e realitetit të vendit, të njerëzve e të detyrës së tij. U bënë disa ditë me radhë që Shqipëria dëgjon mesazhe të forta nga Brukseli e Uashingtoni dhe në vend të shohë reagimin e duhur të Kryeministrit të saj, sheh vetëm reagimin e një njeriu shurdh ndaj botës, qorr përballë realitetit, memec në raport me të vërtetat e faktet e një krize të gjithanshme, të cilën e ka shkaktuar ai e po e paguajnë përditë shqiptarët”, vuri në dukje Rama, lidhur me një çështje të tillë. Në gjykimin e kryetarit socialist, Berisha nuk po sillet si kryeministër i vendit, po si përfaqësuesi i një bote interesash, përfitimesh e veprimesh, të cilat bien ndesh me të mirën e përbashkët të vendit e të njerëzve të këtij vendi. Ndërkohë Rama, duke u ndalur në kryeçështjen e aksionit opozitar, vlerësoi se “me sa duket e vërteta e kutive të 28 qershorit është edhe më e rëndë sesa ç’e parashohim ne, dhe frika e Berishës nga e vërteta e tmerrshme që ai fsheh në kuti është aq e madhe, sa e shtyn Kryeministrin tonë përditë e më thellë drejt qorrsokakut ku po e merr me vete vendin”. Për këtë arsye, kryetari i PS-së i kërkoi Kryeministrit Berisha që “t’i thërrasë mendjes sa s’është fare vonë dhe për të hapur rrugën e transparencës, liberalizimit të vizave e të integrimit, duke harruar nga ana tjetër një orë e më parë se mund ta realizojë projektin e mbretërisë së pashpallur me votime të hapura për gjykatësit në Kuvend e me kuti të mbyllura për popullin që kërkon transparencë”. Sipas tij, kreu i mazhorancës po shkel përditë Kushtetutën e po hedh përditë hapa në drejtim të kundërt me integrimin e vendit, duke thelluar krizën e demokracisë, drejtësisë, ekonomisë.