E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeki, bie qeveria e Kryeministrit Topolanek

Për shkak të një mocioni mosbesimi të votuar në Kuvend, qeveria çeke e Kryeministrit Mirek Topolanek është rrëzuar. Lajmin e bëjnë të ditur mediat çeke, sipas të cilave mocioni i mosbesimit ishte paraqitur nga opozita socialdemokrate dhe u votua nga 101 deputetë. Është hera e parë që qeveria e një vendi rrëzohet kur kryeson presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Rrëzimi i Kryeministrit Topolanek është një sinjal negativ për vendet e Ballkanit, pasi ai ishte shprehur gjithmonë në favor të integrimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Çekia mori presidencën e Bashkimit Evropian në muajin janar të këtij viti dhe e përfundon atë në fund të qershorit për t‘u pasuar nga presidenca suedeze. Prej kohësh konfliktet e brendshme politike në Çeki janë konceptuar si rrezik për qëndrueshmërinë dhe performancën e kësaj presidence. Kriza aktuale e gjen Çekinë në gjysmën e këtij mandati dhe natyrisht nuk do të shoqërohet me nota pozitive nga vendet e tjera evropiane.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›