Rama: Edhe Enveri sikur të ngjallej nuk do i prishte dot ndërtimet pa leje
Rama në Rrashbull: Demokratët iu kanë mashtruar për 20 vjet për legalizimet
Kreu i PS-së, Edi Rama gjatë një takimi me banorë të komunës së Rrashbullit në Durrës, u premtoi banorëve legalizim të banesave të tyre brenda mandatit të parë të qeverisjes socialiste.
Premtimi
Rama akuzoi qeverinë dhe Partinë Republikane se po abuzon me çështjen e legalizimeve, duke e trajtuar atë vetëm për fushatë elektorale. Këta demokratë dhe republikan, 20 vjet duke marrë votat e pronarëve dhe duke thënë ne jemi ata që zgjidhim problemin e pronave. Ndërtoni pa leje se ne i legalizojmë ndërtimet tuaja. 20 vjet duke i thënë fshatarëve, vijoni punoni se ju japin certifikatën e pronës. Sot pas 20 vjetësh dhe 8 vjetësh në qeveri, pronarët nuk kanë të drejtë prone, dhe një copë letre që e bën pronën pasuri të patundshme apo ua njeh tokën, tha Rama. Kreu i PS-së iu përgjigj shqetësimit të banorëve të cilëve u është thënë se me ardhjen në pushtet të së majtës do të kthehen atje nga kanë ardhur. Edhe sa kohë do ti hani rrenat e këtyre. Jo Edi Rama por edhe Enver Hoxha sikur të ngjallej nuk i prish dot 400 mijë ndërtime pa leje, tha lideri i opozitës. Kreu i PS-së premtoi zgjidhje të kësaj situate gjatë qeverisjes socialiste. Brenda katër viteve certifikatën e tokës tënde do ta jap unë. Ne do japim certifikatën e tokës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që rropaten me një copë tokë. Legalizimit do i mbyllim siç na takon dhe siç ju takon atyre që kanë ndërtuar një shtëpi për të ndërtuar ëndrrën e një familje në kushtet normale. Këto çështje janë angazhimet tona dhe do i ndjekim, tha Rama. Gjatë takimit, Rama komentoi edhe akuzat e kryeministrit Berisha se opozita bllokoi integrimin e vendit. Ne do ju themi se këtë do e bëjmë nesër këtë pasnesër, këtë se bëjmë dot këtë e bëjmë pas dy vjetësh. Do bëjmë jo llafe po pune. Ta kthyem Shqipërinë në punë, se punë është ajo që i jep dinjiteti popullit të një vendi. Një vend pa punë është ajo që e shkelin këta çdo ditë, deklaroi Edi Rama.
Kandidatët
Në vijim, Rama vlerësoi dy kandidatët e PS-së për këtë zonë. Jam shumë i kënaqur që këtë në Rrashbull kemi dy deputetë, Ilir Beqen, i cii është një nga autorit kryesorë të programit tonë të Rilindjes, posaçërisht i fokusuar në problemet e fshatit dhe djalin, Shkëlqim Troplini për të cilin kemi respekt të veçantë si djalë me integritet dhe seriozitet dhe përkushtim të madh ndaj kësaj zone, u shpreh Edi Rama.
Balla: Çmenduria e PD, u thotë njerëzve se unë kam pësuar aksident
Kandidati i Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Taulant Balla, ka denoncuar dje një formë të pazakontë që po përdorin kundërshtarët e tij demokratë në Librazhd. Sipas Ballës, PD u ka deklaruar qytetarëve të Prrenjasit se ai ka pësuar aksident të rëndë, e në këtë mënyrë takimi ishte anulluar. Sot (dje) në orën 15.00, FRESSH Përrenjas ka njoftuar një takim me votuesit për herë të parë të këtij qyteti. Sigurisht, gjithmonë pasi mbarimit të mësimit. Ndërkohë që po sot në orën 10 në Përrenjas një takim të njëjtë kishte organizuar edhe Partia Demokratike. Për të marrë pjesë në këtë takim, maturantëve dhe mësuesve ju bë presion dhe u bojkotua mësimi. Ndërkohë, në fund të takimit në prezencë të Eduard Selamit, kryetari i PD ka thënë se takimi me Taulantin në orën 15 është anuluar, sepse Taulantit i ka ndodhur një aksident i rëndë dhe është në spital. Sa turp për këtë parti të kalbur tashmë, që përdorin këto lloj gënjeshtrash. Ju them të gjithëve se jam çdo moment me popullin tim të dashur të Përrenjasit dhe të Librazhdit, në takime në çdo lagje dhe shtëpi. I kërkoj PD Librazhd të kërkojë ndjesë për këtë akt të turpshëm. Unë e di që ju tërboheni nga pjesëmarrja e madhe e njerëzve në takimet e mija, por harrojeni se mund ti pakësoni me presione apo me gënjeshtra të këtij lloji, ka deklaruar Balla.