E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me të rinjtë: U humbën vite nga besnikëria e verbër, Kamza sot shembull i punëve të duhura

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se, vota është e vetmja mundësi që njerëzit e zakonshëm kanë për të vendosur si duan të ndryshojë vendi ku ata jetojnë dhe çfarë duan ata që të kenë.

Në një takim me të rinjtë në Kamzë, Rama u shpreh se, 2 vjet më parë u tha banorëve të Kamzës se nëse do i jepnin mundësinë të vazhdonin punën e nisur do të bënin për Kamzën, Paskuqanin e të gjithë banorët shumë më tepër akoma.

“Sot jem 2 vjet mbrapa dhe faktikisht gjithçka ngado të shohësh dhe në çdo drejtim të kërkosh gjen se është ku e ku me çfarë ishte dhe kupton sesa shumë vite u humbën qorrazi, sesa shumë vite u humbën nga besnikëria e verbër ndaj një partie, a thua se vota është biletë për të shkuar në stadium dhe a thua se besimi për t’ia dhënë votën dikujt është një fanellë tifozi për një skuadër”, tha Rama.

Ndërkohë, shtoi ai, “vota është e vetmja mundësi që njerëzit e zakonshëm kanë për të vendosur si duan të ndryshojë vendi ku ata jetojnë dhe çfarë duan ata që të kenë”.

“Faktikisht nëse ka një vend në Shqipëri ku realiteti është një libër që mund të shpjegojë kapitull për kapitull që nga infrastruktura, tek arsimi, tek shërbimet, tek pastërtia, tek gjelbërimi, ndriçimi e kështu me radhë, është pikërisht Kamza. Për të parë sesi duke ia ngarkuar detyrën një njeriu të duhur bëhet e mundur që shumë gjëra të duhura që nuk kanë ndodhur më parë të ndodhin dhe të bëhen realitet”, u shpreh Rama.

Rama u shpreh se, ndryshimet në parkun e Paskuqanit ngjajnë me ndryshimet në të gjithë Shqipërinë.

“Kur isha këtu 2 vjet më parë me një pjesë nga ju nuk ishte kështu ky park, por të jeni të bindur që në fund të kësaj dekade ky park nuk do të jetë kështu. Dhe siç është ky park sot, krahasuar me siç ishte, një zonë komplet djerrë e braktisur, ku gjithkush synonte të kapte ndonjë copë ku kishte ferra dhe plehra dhe sot është mbjellë këtu e ardhmja dhe nesër do të jetë një destinacion i jashtëzakonshëm, ashtu është ekzaktësisht e ngjashme edhe Shqipëria, me këtë park”, theksoi Rama.

“Historia këtij parku është si historia jonë, si historia e gjithë kësaj periudhe. Siç ishte ky park më parë ishte Shqipëria që ne gjetëm. Siç është ky park sot është Shqipëria që kemi sot, por është akoma një punë që vazhdon, ka akoma mjete që punojnë, ka akoma infrastrukturë që zhvillohet, ka shumë filiza që janë mbjellë dhe që po rriten, por ka akoma shumë hapësirë për të vazhduar për të mbjellë të tjera deri sa të bëhet një pyll i bukur. Kjo është puna që ne kemi përpara”, tha Rama. /j.p/

1 nga 3

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›