E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet, treguesi i stabilitetit politik



Presidenti Bamir Topi e njohu dje ministren britanike të Shtetit dhe Sigurisë Ndërkombëtare në Ministrinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, baroneshën Winfrid Ann Taylor me zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Topi u ndal tek hapat që po ndërmerren në vend në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2009, duke theksuar se këto zgjedhje do të jenë tregues i dukshëm i një stabiliteti të konsoliduar politik në vend dhe si kriter me rëndësi për kandidaturën tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kryetari i shtetit shqiptar vuri në dukje gjithashtu se realizimi i suksesshëm i reformave për konsolidimin e shtetit të së drejtës, garantimi i institucioneve të pavarura kushtetuese, konsiderohen si domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Presidenti Topi, pasi falënderoi qeverinë britanike për ndihmën e dhënë ndaj vendit tonë në ecurinë e proceseve demokratike në Shqipëri dhe pasi vlerësoi bashkëpunimin dypalësh të deritanishëm në fushat politike, në reformimin e forcave të armatosura, procesin e çarmatimit të municioneve, të rendit etj., shprehu interesimin për zgjerimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe parashtroi kërkesën për më shumë shkëmbim përvojash në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes në vend, në rajon e më gjerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›