E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Ja arsyet e betimit të socialistëve në Kuvend. Reagimi i Berishës, i padenjë

Dy janë arsyet që të zgjedhurit socialistë vendosën të betohen në seancën e djeshme parlamentare, shpjegoi kryetari socialist Edi Rama. Arsyeja e parë është shmangia e djegieve të 64 mandateve të deputetëve socialistë. “Sfidoj arkivat e gjithë mediave tuaja për të nxjerrë një herë të vetme, në një vend të vetëm, një deklaratë timen apo të cilitdo tjetër që ka thënë se do të djegim mandatet tona” tha Rama.

• Hetimi i zgjedhjeve, PS depoziton pr/ligjet në Kuvend

Arsyeja e dytë është presioni i ndërkombëtarëve që nga dje t’i drejtohet qeverisë dhe jo më opozitës. “Sot, nuk ka bojkot,por kriza është mes nesh dhe që kriza të zgjidhet nuk mund t’i adresohemi bojkotit, por do t’i adresohemi krizës” tha Rama.

Megjithatë, reagimi plot humor dhe batuta i kryeministrit Berisha duket se nuk e ka bërë për të qeshur kreun e opozitës Edi Rama. “Një reagim i padenjë për nivelin e përgjegjësisë së drejtëpërdrejtë që ka qeveria për zgjidhjen e krizës, i padenjë për momentin shumë delikat” tha Rama.

Kanë nisur tashmë pregatitjet për një protestë të pandalshme tha kreu socialist Edi Rama. “Do të jetë vala më e madhe e protestave që Shqipëria ka parë për votën e lirë dhe do te jetë një valë protestash që nuk do të ulen pa garantuar votën e lirë” tha Rama.

Socialistët kanë nisur të flasin për një 6-mujor të parë dhe për një 6- mujor të dytë pasi mandatet e deputetëve socialistë në mungesë mund të zgjasin vetëm 6 muaj. Në muajt e ardshëm tha Rama kriza mund të zgjidhet, megjithatë “mund të ndodhi, jetojmë në Tiranë”, perfundoi ai.

Dorian Kodra
Azhornuar së fundi ( e premte , 26 shkurt 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›