Rama: Kjo qeveri ka dështuar, rrezikojmë statusin e kandidatit në BE
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, kryetari kësaj force politike, Edi Rama ka akuzuar qeverinë se ka nisur një fushatë shpifjesh dhe përbaltjesh për opozitën, duke e akuzuar këtë të fundit për të gjitha dështimet e saj të njëpasnjëshme, edhe për një humbje të mundshme të mundësisë nga ana e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE.
Motoja e sotme e qeverisë është: fajin e ka opozita se shqiptarët s`kanë punë, s`kanë fuqi blerëse s`kanë shtet. Sot në vigjiljen dramatike të humbjes së statusit kandidat në BE fajin sërish e ka opozita. Kjo rapsodi e vrazhdë që këndohet në çdo skenë jehon kudo dhe përçohet përmes zërave të dëshpëruara që tek opozita e gjejnë fajin për gjithçka. Kundërshtari im ka një strategji të lexueshme, nuk ka mundësi të tregojë duart e pastra, duart e tyre janë të zhytura në llum, e tregojnë raportet ndërkombëtare, tha Rama.
Kreu i PS ka theksuar faktin se PS do të vijojë turin e saj nëpër të gjithë Shqipërinë për një Rilindje Shqiptare, si një mënyrë për të fituar zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013. Gjithashtu, kryesocialisti Rama i është rikthyer edhe një herë çështjes së shumëdiskutuar nga ana e opozitës lidhur me lotarinë kombëtare, duke kërkuar edhe dorëheqjen e ministrit të Financave, Ridvan Bode si përgjegjësin kryesor të skandalit të radhës së kësaj qeverie.
26 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Rama: Kjo qeveri ka dështuar, rrezikojmë statusin e kandidatit në BE burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci