Rama: Kosova u pavarësua jo për t‘u ndarë, por për t‘iu bashkuar BE-së
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me një delegacion të partisë së tij, vizitoi Kosovën, për të festuar Festën Kombëtare, 28 Nëntorin. Me këtë rast, Edi Rama, i cili shoqërohej nga anëtarët e kryesisë së kësaj partie, Pandeli Majko dhe Shpëtim Idrizi, theksoi përkrahjen e Shqipërisë për shtetin më të ri, duke kundërshtuar fuqishëm çdo ide për ndarje të Kosovës. Në takim me kryeparlamentarin Krasniqin, pasi kanë këmbyer urimet për 28 Nëntorin, festën e shumëfishtë kombëtare, që i lidh shqiptarët kudo që janë dhe kanë shprehur kënaqësinë që për këtë festë të madhe janë së bashku, Krasniqi dhe Rama kanë biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe në Shqipëri, sidomos për sa i përket kontekstit ndërkombëtar që i parapriu vendimit për shtrirjen e EULEX-it në të gjithë territorin e Kosovës. Ata kanë folur edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në shumë lëmenj të jetës, që është interes i përbashkët i qytetarëve të dy vendeve tona. Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, e ka garantuar kryeparlamentarin Krasniqi për mbështetjen e të gjitha institucioneve shtetërore dhe subjekteve politike të Shqipërisë për ecjen e mbarë të Kosovës në rrugën e zhvillimit e të afirmimit pozitiv ndërkombëtar. I gjithë populli i Shqipërisë ///gjakon me shqetësimet e popullit të Kosovës, /////e ka garantuar kreu i socialistëve të Shqipërisë, kreun e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se sovraniteti i Kosovës është i pacenueshëm. "Rikujtoj se Kosova nuk u pavarësua për t‘u ndarë, por për t‘u bashkuar në familjen evropiane, ku aspirojmë të gjendemi së bashku, pa kufij të gjithë ne, shqiptarët që sot jetojmë në territore të ndryshme. Kjo do të thotë se askush nuk duhet të guxojë se ëndrra të tilla mund të bëhen realitet, për sa kohë ka e do të ketë shqiptarë në këtë dhe në atë territor", ka theksuar Edi Rama. Pavarësisht prej zhvillimeve politike për Kosovën që dominuan në takimet e liderëve me delegacionin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, këto takime kaluan në një atmosferë mjaft festive për nder të Festës Kombëtare të 28 Nëntorit. Kryeparlamentari Krasniqi i ka dhuruar Ramës një kopje të Deklaratës së Pavarësisë, në sfond të së cilës spikat figura grafike e më të merituarit për pavarësinë e Kosovës, Adem Jasharit. Pas takimeve me kryeparlamentarin Krasniqi, Presidentin Fatmir Sejdiu, Kryeministrin Hashim Thaçi, lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, është nisur për në Prekaz, pikërisht te shtëpia e Adem Jasharit, pasi 28 Nëntori është edhe ditëlindja e tij. Lideri i opozitës në këto takime mbështeti liderët e Kosovës për reagimin kundër planit gjashtëpikësh dhe tha se shqiptarë janë një, teksa skenari i tyre i vetëm është Bashkimi Evropian. Pas takimit me Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i PSSH-së, Rama, tha se u ndje i privilegjuar që është i pari lider opozitar që kryen një vizitë të tillë, në një ditë kaq simbolike për të gjithë shqiptarët, në Kosovën e pavarur.