E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Kryeministri Berisha është një “farëmbjellës"katastrofash

Braçe: Qeveria tenton të bëjë hero ministrin e brendshëm Basha
Kryeministri Berisha është një “farëmbjellës” katastrofash, që nga flaka në Gërdec, rënia e malit në Kalimash dhe përmbytjet në Shkodër. Ky ishte etiketimi që i bëri pasditen e djeshme Kryeministrit, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama. Nëpërmjet një konference për shtyp, kreu i opozitës deklaroi se përmbytjet në veri të vendit kanë ardhur si pasojë e korrupsionit dhe babëzisë së pushtetit. Sipas Ramës, situata të tilla janë të paprecedente. “Situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, as kur ka shkrirë më shumë borë dhe kur ka rënë më shumë shi, sepse s’kanë pasur njerëz të cilët ta kenë mbledhur ujin jashtë çdo kontrolli për të bërë lekë”, deklaroi Rama.
Po kështu, kryetari i PS-së deklaroi se fshehja për një vit të tërë e gropës ekonomike që ka pësuar buxheti i shtetit, nxiti babëzinë për të prodhuar dhe importuar jashtë çdo limiteve energji elektrike. “Berisha ka fshehur prej një viti gropën përditë e më të thellë të krizës ekonomike dhe për ta mbushur sadopak atë gropë, pushteti i tij hapi një gropë të madhe në jetën e mijëra familjeve blegtore të Veriut”, theksoi Rama. Sipas tij, përmbytjet apokaliptike në veri të vendit sollën edhe shpërdorim në shifra të mëdha të ujit të kaskadave, i cili mund të përdorej për krijimin e energjisë. “Po të ishte menaxhuar si duhet, Fierza do të kishte prodhuar jo përmbytjen apokaliptike të Qarkut të Shkodrës, por 457638 MWh energji elektrike, që e llogaritur me çmimin minimal, përbën një humbje për shtetin e për shqiptarët të barabartë me 3 miliardë e 523 milionë lekë të reja”, shpjegoi Rama. Sipas tij, për dëmin e konsiderueshëm që kjo përmbytje kishte krijuar, ishte e udhës që banorëve t’ju jepeshin menjëherë lekët në dorë për të përballuar ditët e vështira që po kalojnë. “Qeveria e votave të vjedhura duhet të nxjerrë urgjent lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe s’mund të mbajë frymën gjallë”, deklaroi Rama. Sipas tij, pas daljes nga emergjenca duhet dëmshpërblim qindarkë më qindarkë për të gjitha dëmet e shkaktuara. Opozita lëshon alarmin për mungesën e një plan-veprimi nga ana e qeverisë shqiptare për ta kthyer situatën në normalitet në Qarkun e Shkodrës.
Deputeti socialist, Erjon Braçe, në një prononcim për gazetën “Shqip”, denoncon ashpër sjelljen e Ministrisë së Financave dhe kreut të këtij institucioni, ndërsa shtron tre pika kryesore ku duhet të bazohet ky plan. Braçe nënvizon se ka një mungesë të theksuar të menaxhimit të situatës, ndërsa konsideron si të papranueshme deklaratat, si atë të ministrit Bode, se banorëve do u sigurohet bari për bagëtitë. Duke qenë se pret më tepër nga Ministria e Financave, Braçe shton se pikërisht i takon këtij institucioni që së pari të rehabilitojë banorët e zonës, së dyti, në një etapë të re duhet t’i dëmshpërblejë një më një, për çdo dëm që u është shkaktuar dhe së treti të marrë masat e nevojshme për rimëkëmbjen e zonës, pasi tanimë çdo gjë është shkatërruar.
Por, sipas Braçes, në mungesë të një largpamësie për të pasur një plan emergjent veprimi, mazhoranca po merret me punë të tjera. “Në vend që të shohim një plan të mirëmenaxhuar të të gjithë situatës së krijuar në Shkodër, mazhoranca po tenton që të bëjë hero ministrin e Brendshëm, Lulzim Bashën. Kjo me sa duket me qëllimin që nesër ta ketë kandidat për Bashkinë e Tiranës”, tha Braçe. Në ditën e 11 të përmbytjeve, Partia Socialiste ka intensifikuar së tepërmi deklaratat e saj, duke konsideruar se kjo përmbytje nuk ka lidhje me reshjet e shumta, por me keqmenaxhimin e liqenit të Fierzës nga ana e strukturave. Përditë në konferenca shtypi, por edhe deklarata nga terreni, PS ka akuzuar ministrin Prifti dhe Kryeministrin Berisha si përgjegjës kryesorë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›