Rama: Me PD-në nuk ka bashkëpunim pa kushte
Edi Rama dhe Maqo Lakrori shpalosin platformat e tyre në Tiranë
TIRANË - Dy pretendentët për postin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, në vijim të turit të tyre elektoral janë ndalur dje edhe në Tiranë, ku kanë ballafaquar platformat e tyre për drejtimin e kësaj force në katër vitet e ardhshme.
Takimin e mbajtur me këtë rast në Akademinë e Arteve, e ka hapur, si edhe në takimet e mëparshme të zhvilluara në qytetet e tjera, kandidati Maqo Lakrori, në rolin e sfidantit të kreut aktual Edi Rama.
Duke prezantuar platformën e vet, Lakrori i ka mëshuar edhe një herë fortë idesë së tij për një parti të fortë, si e vetmja mënyrë ku mundet të krijohet hapësira e duhur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë në PS.
"Në rast se socialistët do të mbështesin platformën time duke më votuar mua, atëherë do të kalojmë nga koncepti i kryetarit të fortë në një parti të fortë", - tha Lakrori, duke evidentuar gjithashtu edhe elementë të tjerë të kësaj platforme, siç është thithja e mendimit të socialistëve në emigracion, ndryshimet statutore, por duke mos harruar as zgjedhjet e parakohshme, të cilat, sipas tij, janë një alternativë që duhen konsideruar si e mundshme.
Ndërsa kryetari ende në detyrë i PS-së, Edi Rama, në prezantimin e alternativës së vet, i ka mëshuar fortë çështjes së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, si një moment që ai e konsideroi si rënie të ligjit dhe për rikuperimin e të cilit PS-ja duhet të angazhohet maksimalisht.
Rama ka deklaruar gjatë fjalës së tij se PS-ja i fitoi zgjedhjet e 28 qershorit, por se fitorja iu grabit nga ajo që ai e konsideroi si makina kriminale elektorale e Sali Berishës. "Ka rënë ligji dhe rivendosja e ligjit është në dorën tonë dhe në dorën e Sali Berishës, Ilir Metës, Fatos Nanos apo altoparlantëve të tyre.
Prandaj duhet ta kemi të qartë se nuk ka bashkëpunim pa kushte me ketë mazhorancë, që nuk është mazhorancë, me këtë Parlament që nuk është Parlament", - tha Rama.
Sipas tij, opozitës dhe popullit që e votoi atë në shumicë iu mohua në mënyrë antiligjore një e drejtë që ia jepte Kodi Zgjedhor, pra hapja e kutive të votimit, kur një gjë të tillë e kërkojnë dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Për këto arsye, ai ka deklaruar edhe një herë se socialistët nuk mund të kthehen në Kuvend, por se do të kërkojnë që t'i tregojnë kësaj mazhorance se ka ikur koha kur populli votonte ndryshe dhe pushteti shkonte në drejtim tjetër. "Në cilin Parlament të hyjmë ne?
Në Parlamentin që ka lindur nga këto palo zgjedhje, pasi na është shkelur dhe mohuar e drejta dhe garancia fundore, në Parlamentin ku Sali Berisha ka refuzuar t'u përgjigjet 42 interpelancave të kërkuara nga deputetët e opozitës në 4 vitet e shkuara.
Në Parlamentin ku Berisha, me Metën e Nanon e të tjerë, na kërkojnë atje, për çfarë? Thjesht për të thënë se jemi në pozicione të kundërta, por demokracia funksionon", - tha Rama.
Më pas, dy kandidatët u ballafaquan edhe me pyetje që bënë socialistët nga salla, ku natyrisht interesi më i madh i tyre ishte ai për qëndrimin që do të mbajë PS-ja karshi institucioneve të vendit, si dhe për atë që do të bënin ndryshe këta dy kandidatë në krye të PS-së.