E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: "Në 2010-a do kërkojmë me forcë të drejtën tonë"

Autori i Lajmit: Redaksia
Berati ka qenë ndalesa e radhës e protestës njëjavore të nisur nga Partia Socialiste në këtë fundviti. Edhe gjatë protestës së zhvilluar dje në këtë qytet, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka vënë theksin tek kushti për Berishën hapja e kutive ose largimi nga pushteti. Madje pohoi se 2010 do të jetë ndarja me forcë nga ky pushtet. Rama ka theksuar më tej problemet e mëdha ekonomike në vend si rritja e çmimit të energjisë, e cila sipas tij, ka çuar në zero çdo rritje të vogël të pagave apo pensioneve. Ai ka fajësuar Qeverinë për këtë situatë. Më tej ai ka pohuar se nuk e ka fajin opozita as për milionat e varrosura në Kalimash dhe as për mungesën e lirisë për bizneset. Ai i ka bërë thirrje Berishës tu drejtohet gjykatave e prokurorisë për tu përballur me paditë e ngritura ndaj tij për shkak të atyre që Rama i quan shpifje që kanë si qëllim trembjen e opozitës dhe largimin e vëmendjes nga kutitë e votimit.

Rama

Kryesocialisti ka ritheksuar edhe një herë shqetësimin e socialistëve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me fillimin e vitit tjetër, por dhe një sërë problemesh të tjera. “Çmimi i ri i energjisë bën zero si fillim rritjen e rrogave e të pensioneve të këtij viti. Bizneset e vogla, që mbajnë dhjetëra mijëra familje dhe arkat e pushtetit vendor kanosen që nga një janari me TVSH e tatim fitimi. Falimentim i sigurt për shumicën e tyre. Rritje e pashmangshme çmimesh në dyqanet që do të mbijetojnë. Punësimi zero. Ushqime më të shtrenjta. Fuqi blerëse që do të bjerë muaj pas muaji, libra më të shtrenjta shkollash, vizita më të shtrenjta, spitale më të rrënuara. 800 mijë shqiptarë të pasiguruar, për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune prej dy muajsh duhet të paguajnë 4-5 herë më shumë për të trokitur te një derë mjeku”, - renditi Rama faturën e shtuar të jetesës për çdo shqiptar. Sipas tij, po kaq problem përbëjnë dhe 30 mijë familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike. “Në këtë ngricë ekonomike që ka pllakosur mbarë vendin, sundon një pushtet pa legjitimitet dhe ligjëron një Parlament pa opozitë në prag të një viti të ri, kur kriza e shtetit të së drejtës, kriza e ekonomisë vetëm do të thellohen”, - tha ai, ndërsa paralajmëroi forcimin edhe më tej të rezistencës opozitare. Ky pushtet që, sipas Ramës, me paratë e taksave bën mitingje kundër opozitës dhe synon ta distancojë atë nga populli, realisht bën të kundërtën. Kryesocialisti pohoi se kjo Shqipëri e ndarë me gjuhën e urrejtjes nuk mund të jetë Shqipëria jonë e vitit 2010. “Ne do ta bëjmë 2010 vitin e ndarjes me këtë pushtet. Ne do ta bëjmë 2010 vitin e kthimit të atdheut në duart e qytetarëve shqiptarë”, - tha ai. Rama shtoi se Berisha ka humbur të drejtën për ta qeverisur Shqipërinë, duke i shkelur të drejtën më elementare të popullit sovran për të parë votën e vet. “Do ta kërkojmë me forcë, duke kërkuar largimin e Sali Berishës përderisa kutitë nuk hapen dhe ndërkohë demokracia shqiptare po bëhet përditë e më shumë një kuti e mbyllur. Hap kutitë ose largohu Sali Berisha! Sepse nuk mund ta shpallësh opozitën mafie në vitin 2009, në mes të Evropës. Nuk mund të sundosh mbi këtë popull duke i treguar opozitës darët e ligjit. Dhe kush, ti që je i zhytur fund e krye në borxh me ligjin dhe Kushtetutën”, - tha ai.

Ky lajm është publikuar: 16/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›