E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS, bojkot zgjedhjeve të 15 nëntorit



Partia Socialiste përshkallëzon qëndrimin e saj politik. Ajo nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale që do të mbahen më 15 nëntor. Këtë gjë e ka bërë të ditur dje kryetari i PS-së, Edi Rama dhe pse akoma nuk ka një vendim strukturash të partisë. Pas bojkotit të Kuvendit, socialistët duket qartë se kanë vendosur të ndërmarrin një hap radikal, duke bojkotuar zgjedhjet e pjesshme, që zhvillohen si rezultat i dorëheqjes së disa kryebashkiakëve, të cilët u futën në listat e deputetëve të zgjedhjeve parlamentare. Një veprim politik që e rikthen PS-në pas në kohë, kur bojkotoi zgjedhjet e majit 1996, ndërkohë që për këtë veprim, Rama nuk ka dhënë ndonjë arsye konkrete përpos kërkesës për hapjen e kutive, e cila është vënë si kusht për hyrjen në Kuvend. Duke folur për televizionin “News24”, i pyetur a do marrin pjesë në zgjedhjet e afërme, Rama tha se “mundësitë më të shumta janë që “Jo”. Ende nuk kemi marrë vendim për këtë, por besoj se logjika e gjërave na çon se nuk na ha mendja se do të jemi”. kreu i PS-së për herë të parë ka sulmuar Presidentin e vendit, Bamir Topi, duke e akuzuar për heshtje pas letrës që ai i dërgoi pak kohë më parë, ku i kërkoi të ndërhynte që të “zbardhej e vërteta e 28 qershorit”. Megjithëse Topi ia ka dhënë përgjigjen në një farë mënyre, pasi është shprehur disa herë publikisht kundër bojkotit të opozitës, Rama si duket pret një përgjigje zyrtare me shkrim. Duke folur rreth arsyeve që e çojnë PS-në në vendimin për mosnjohjen e zgjedhjeve, Rama theksoi se çështja e lirimit të të burgosurve është një prej tyre dhe se për këtë arsye është deklaruar nëpërmjet një letre edhe tek Presidenti. Në këtë kontekst, ai tha se “Topi ende nuk më ka dhënë përgjigje dhe nuk ka reaguar ndaj një letre drejtuar në adresë të tij, ku kam ngritur shqetësimin për kthimin e burgjeve në seksione të fushatës elektorale të PD-së dhe lirimin e një sërë njerëzish të rrezikshmërisë së lartë në këtë kohë. Këtë presim nga Presidenti dhe shpresojmë në një përgjigje”. Rama sqaroi se me kërkesën për hapjen e kutive të votimit nuk kërkonte ndryshim rezultati, por sipas tij, zbardhjen e së vërtetës. “Ne nuk kërkojmë ndryshimin e pushtetit në tavolinë. Por, kemi detyrim historik t’i japim fund historisë së zgjedhjeve të papranueshme, që zgjedhjet e ardhshme të mos jenë njësoj si këto”, - tha ai. Më tej, ai i kërkoi KQZ-së që të mos i asgjësonte kutitë e votimit të 28 qershorit.

Internacionalja Socialiste i del krah PS-së

Më në fund PS ka arritur të marrë mbështetje nga një faktor ndërkombëtar për bojkotin e Parlamentit pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Mbështetja i ka ardhur nga ana e Internacionales Socialiste dhe nuk përbën ndonjë surprizë në vetvete, pasi është normale që partitë simotra të mbështesin qëndrimet e njëra-tjetrës, aq më shumë kur janë anëtare të së njëjtës familje. Por këtë radhë ka qenë Presidenca e IS-së që ka bërë propozimin që në deklaratën finale të punimeve të Komitetit të Internacionales Socialiste për Mesdheun që u mbajtën në Barcelonë të futej dhe një paragraf për vendin tonë. Dihet tashmë lidhja që ka PS-ja dhe kryetari i saj, Edi Rama me të majtën në Greqi. Jo më kot në shenjë solidariteti dhe mbështetje, një numër i konsiderueshëm deputetësh socialistë ishin prezentë në ditët e fundit të fushatës para zgjedhjeve në Greqi, të cilat u fituan nga PASOK-u. Siç njofton PS-ja, “me propozim të Presidencës së Internacionales, komiteti vlerësoi se në Shqipëri demokracia duhet të rivendoset dhe kërkesat e Partisë Socialiste në marrëdhënie me dhunimet dhe parregullsitë në zgjedhjet e 28 qershorit duhet të pranohen”. Më tej, selia rozë bën të ditur se Internacionalja Socialiste ka rikonfirmuar solidaritetin dhe mbështetjen për Partinë Socialiste dhe veprimin e saj politik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›