E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj i shkruan Ristanit: Mos i asgjëso kutitë e votimit



Partia Socialiste i ka shkruar dje një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përmes së cilës i kërkon mosasgjësimin e kutive të votimit. “Për kryerjen e hetimit të disa aspekteve të procesit zgjedhor të 28 qershorit, Partia Socialiste e Shqipërisë konsideron se është e domosdoshme këqyrja e dokumentacionit përkatës në kutitë e materialeve zgjedhore të përdorura në këto zgjedhje”, - theksohet në letrën e PS-së drejtuar KQZ-së. Sekretari për çështjet ligjore në PS, Xhafaj kërkon mosprekjen e kutive pasi mund të sjellë rrezik serioz për vendin, ndërsa thekson se çdo përpjekje e nxituar për asgjësimin e fletëve të votimit do të përbënte një veprim të motivuar politikisht. Xhafaj i sjell në vëmendje Komisionit Qendror përmes kësaj letre se një kërkesë e tillë është marrë në konsideratë nga ky institucion pas zgjedhjeve të vitit 2001 dhe atyre vendore të vitit 2003. PS kërkon gjithashtu nga KQZ t’u mundësojë akses përfaqësuesve të PS për të vëzhguar nga afër dhe në mënyrë periodike ambientet ku ndodhen kutitë e votimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë në lidhje me paprekshmërinë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›