E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Persona me pushet po tentojnë të prishin procesin”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Numërimi i votave

Kryetari i Partisë Socialiste ka ngritur shqetësimin nëpërmjet një daljeje publike për media për atë që ai ka quajtur agresion të personave të caktuar ndaj numëruesve të votave, të cilët po kryejnë këto orë një rol historik. Duke mos shprehur kritika ndaj Policisë së Shtetit, Rama theksoi se persona me pushtet po tentojnë të prishin procesin e numërimit. "I kërkova drejtorit të Përgjithshem të Policisë bashkëpunim, për të mos lejuar askënd të cenojë procesin",- u shpreh Rama. Rama kërkoi që Policia e Shtetit të luajë një rol maksimalisht impenjativ në këtë fazë dhe të mos shndërrohet në një bashkëpunëtore të pushtetit. “Policia e Shtetit të tregojë impenjim maksimal. Nuk kam vërejtje për punën e tyre, por është për të ardhur keq që në episode të caktuara vihet re një bashkëpunim në heshtje i policëve të terrenit që janë nën presion të njerëzve në pushtet”,- tha Rama. Në këtë kuadër, kryesocialisti vuri në dukje se “njerëz që përdorin një pushtet politik abuzojnë me një detyrë shtetërore për të udhëhequr akte që bien ndesh me standarde të procesit zgjedhor dhe përbëjnë një agresion të patolerueshëm dhe të dhunueshëm ndaj atyre që janë ulur në qendrat e numërimit dhe bëjnë detyrën e tyre”.
Kryetari i PS-së vlerësoi maksimalisht punën e numëruesve të votave në këtë fazë delikate të procesit zgjedhor për zgjedhjet parlamentare. “Duhet të theksoj me forcë se kur po hyjmë në natën e dytë të numërimit të votave dhe kemi rreth 70 % të kutive pa numëruar, është momenti për të respektuar dinjitetin dhe personalitetin atyre njerëzve që po bëjnë sakrificën e qëndrimit në grupet e numërimit dhe qendrat e numërimit”. Por Kreu i socialistëve nuk bëri komente për fitoren e PS. Sipas tij, rezultati tashmë dihet, dhe nuk ka komente për të. E rëndësishme, sipas tij, është të përfundohet me sukses kjo fazë, e rëndësishme, pa anomali si në të kaluarën. “Ne jemi të informuar për vënien në lëvizje të një plani për bllokimin e qendrave të numërimit dhe kutive, sepse procesi i numërimit po hyn në fazën kur rezultate do të fillojnë të kthjellohen pas një faze të parë kur ashtu siç ndodhi dhe në 2005-ën, ku u orkestrua një proces numërimi duke hapur kutitë me rezultatet më të favorshme për ata që e bënë këtë gjë”. Rama vuri në dukje edhe vlerësimin që ndërkombëtarët i bënë procesit të votimit, ku konsideruan se nuk u arritën standardet e dëshiruara. Ndaj sipas Ramës, është momenti për të ngritur zërin që kjo natë të mos sjellë anomali dhe të mos përshkallëzohen veprime penguese. “E thashë qysh në daljen time të parë se këto zgjedhje për Bashkimin Evropian, por le të bëjmë të mundur të jenë zgjedhje për një Shqipëri që kërkon të hedhë një hap tjetër. Avantazhi për të cilën është folur do të shkojë duke u konsoliduar, sepse ka pasur një rend të paracaktuar në metodikën e numërimit që ka bërë të fillohet numërimi nga kutitë e pafavorshme. Vazhdoj të jem i vendosur të mos bëj komente mbi rezultatin, i cili për ne nuk ka asnjë mister, por bëj detyrën time për t i shërbyer këtij procesi është pjesa e dytë e një beteje të përbashkët që duhet ta fitojmë të gjithë bashkë. Do të flasim për fitoren shumë shpejt”,- tha Rama.

Ky lajm është publikuar: 30/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›