E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç-Thaçi, kundërsulme për akte ilegale në Kosovë

Këshilli i Sigurimit u kthye në një arenë “sulmi” mes përfaqësuesve serbë dhe kosovarë dhe mbështetësve të tyre përkatës nga pala ndërkombëtare për çështjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, tashmë shtet i pavarur i njohur nga 38 vende të botës.

 Presidenti serb, Boris Tadiç, tha në Këshillin e Sigurimit se pavarësia e Kosovë është ilegale dhe se Serbia do të kryejë zgjedhjet e saj në “provincën e vet”, më 11 maj me gjithë kundërshtimin e UNMIK-ut. “Ne besojmë se është e rëndësishme që ne të zgjedhim përfaqësuesit tanë lokalë dhe parlamentarë”, tha  Tadiç në takimin e së hënës në Këshillin e Sigurimit me dyer të mbyllura. Zyrtarët e OKB-së në Kosovë e kanë paralajmëruar Serbinë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë është shkelje e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit. Ky paralajmërim u përforcua edhe nga kryeadministratori i Kosovës, Joakim Ryker. kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar përpara anëtarëve të këshillit të Sigurimit se, qeveria e tij e respekton dy-nënshtetësinë për të gjithë qytetarët e Kosovës, “por zgjedhjet lokale janë ilegjitime”. Thaçi e vlerësoi Kosovën si një vend mundësish me synimin për të qenë një ditë anëtare e NATO-s, BE-së dhe OKB-së. “Mendoj se pas zgjedhjeve të 11 majit, Beogradi do të fillojë t’i rishikojë marrëdhëniet me Prishtinën. Dhe, pse jo, të njohë edhe pavarësinë e Kosovës. Sepse, përderisa Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ata kurrë nuk mund të jenë pjesë e NATO-s dhe e BE-së”, tha Thaçi. Kundër kësaj, Tadiç u bëri thirrje vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës që ta rishikojnë vendimin e tyre dhe i tha Këshillit të Sigurimit se, serbët nuk u besojnë autoriteteve në Prishtinë dhe as që do të bashkëpunojnë me misionin e Bashkimit Evropian, EULEX, i cili pritet të zëvendësojë UNMIK-un. Deklarata e presidentit serb ka hasur në reagim të shpejtë të ambasadorit amerikan Khalilzad. “Ne jemi të shqetësuar nga veprimet e Beogradit për t’u bërë shtypje serbëve të Kosovës që të mos bashkëpunojnë me autoritetet në Prishtinë, apo të mos bashkëveprojnë me fqinjët e tyre shqiptarë”, tha Khalilzad. Ambasadori amerikan në OKB, shtoi se ishte e papranueshme që Serbia ka vendosur t’i mbajë zgjedhjet lokale në Kosovë. “Presidenti Tadiç, përpjekjet për të kryer zgjedhjet lokale në Kosovë janë një provokim dhe ju bëj thirrje që të mos vazhdoni me mendimin për t’i kryer ato”, tha ai. Edhe Britania ka kërkuar nga Serbia që të heqë dorë nga vendimi i saj për të mbajtur “zgjedhje me bazë etnike” në Kosovë, deklaroi kështu ambasadori britanik në OKB, John Sauers. Por Serbia gjeti mbështetjen e vetme në aleaten e saj të përhershme, Rusinë. Ambasadori rus në OKB, e mbështeti Tadiç. Vitaly Churkin ka kritikuar misionin e OKB-së në Kosovë, duke deklaruar se: “Prezantimi i gjendjes aktuale në Kosovë nga Joakim Ryker nuk ishte i saktë dhe objektiv”. Veç kësaj: “Ne besojmë se serbët i kanë të gjitha të drejtat për të mbajtur zgjedhjet e tyre parlamentare dhe lokale kur ato të përgatiten”, tha Churkin.

Deklarata e Haradinaj

Në një intervistë për AP, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka bërë thirrje shumicës shqiptare që t’i shtrijë dorën pakicës serbe, në përpjekje për të tejkaluar kundërshtimet e tyre rreth pavarësisë së Kosovës. “Në këtë fazë ne duhet t’i paraqesim një ofertë të mirë dhe duhet t’ia shpjegojmë si duhet, pakicës serbe ofertën në fjalë. Duhet t’i tregojmë edhe serbëve në veri të Kosovës, se cilat janë përfitimet që vijnë nëse e pranojnë ofertën tonë. Për këtë, duhet të bashkëpunohet ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Haradinaj. Ai kritikoi qeverinë Thaçi duke thënë se: “Duhet të bëjë më shumë përpjekje për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe se, duhet të kërkojnë më shumë ndihmë për këtë proces”. Duke folur për synimet e tij politike Haradinaj tha se, për popullin e Kosovës: “Kam një ofertë politike, që nuk është e shkuara ime, por aftësia për të qeverisur vendin në rrugën e duhur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›