E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Sfida jonë, anëtarësia e vendit në BE

01/04/2010 “Anëtarësia në BE është projekti ynë politik i transformimit dhe i demokratizimit”. Ky ishte mesazhi i lëshuar dje në Konferencën e PES për Ballkanin, me temë “Shoqëritë progresiste në Ballkan”, e cila u zhvillua në datat 30-31 mars në Sarajevë, nga kreu socialist Edi Rama. Sipas tij, është e rëndësishme që të ndërtojmë Evropën në vendet tona, por është po ashtu e rëndësishme që Evropa të mos i zbehë ambiciet dhe standardet në marrëdhëniet e saj me vendet e Ballkanit Perëndimor. “Objektivi i BE-së në Shqipëri nuk mund të jetë më thjesht stabiliteti. Vetëm një politikë e re dhe një vizion i ri mund ta avancojë axhendën evropiane për Ballkanin Perëndimor dhe për shoqëritë e këtij rajoni. Në këtë kontekst, ne duhet të përpiqemi shumë që ta sjellim Evropën më pranë qytetarëve tanë, kjo është sfida jonë”, vuri në dukje Rama, gjatë fjalës së tij në këtë konferencë. Madje, po në këtë linjë, kreu i socialistëve shqiptarë i mëshoi me forcë faktit se “takime si ky janë shumë të rëndësishme për partitë tona, për përpjekjet tona të përbashkëta për të arritur anëtarësimin në BE, për mbështetësit dhe popujt tanë. Si bashkëkryetar i Komitetit Ndërkombëtar për Evropën Juglindore, ju ftoj ta organizojmë takimin e radhës në Tiranë, dhe shpresoj që në takimin tjetër qytetarët e Sarajevës dhe qytetarët e Shqipërisë do të jenë të lirë të udhëtojnë nëpër Evropë pa viza”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›