Rama: Situata politike nuk zgjidhet me imponim
Lëvizja Socialiste për Integrim deklaroi dje se situata politike dhe interesat europiane të vendit kërkojnë zgjidhje që burojnë prej dialogut institucional dhe në respekt të plotë me Kushtetutën e vendit e në pajtim edhe me frymën e rekomandimeve të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nisur nga kjo, sekretari për mediat në këtë parti, Luan Rama, deklaroi se realiteti i krijuar për shkak të bojkotit të Parlamentit prej lidershipit të Partisë Socialiste është sa absurd aq edhe i pakuptimtë, sepse stonon e bie ndesh me aspiratat europiane të qytetarëve shqiptarë, të cilët presin të mësojnë jo se kur e ka mitingun e radhës Edi Rama, por se kur do të bëhet i mundur liberalizimi i vizave, që edhe ata të lëvizin të lirë si bashkëqytetarët e familjes europiane. “LSI-ja vazhdon t’i përmbahet me seriozitet pikëpamjes se vetëm dialogu institucional dhe transparent e jo gjuha e kërcënimit dhe e imponimit përmes mitingjesh është rruga europiane që na shpie drejt zgjidhjes dhe kapërcimit të impasit politik. LSI-ja e mbështet dhe vazhdon ta inkurajojë Presidentin e Republikës, duke e siguruar atë në partneritetin e plotë dhe pa kushte, ashtu sikundër ka vepruar gjithnjë LSI-ja”, tha Rama.
#