Mëhilli: PS keqinterpreton Rezolutën e KiE
Partia Demokratike hodhi poshtë dje pretendimet se ishte Kryeministri Berisha ai që kushtëzonte tryezën te Presidenti Bamir Topi. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se të gjitha këto deklarata janë shpikje të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. “Pretendimet e Partisë Socialiste se Berisha kushtëzon tryezën te Presidenti, janë thjesht një formë për të maskuar interpretimin kokëposhtë të Rezolutës së KE-së, sikur ajo përfaqëson një dokument që shpërblen bojkotin”, deklaroi Mëhilli, duke theksuar se PS-ja ende nuk po e lexonte në mënyrë objektive rezolutën e KiE-së. Nga ana tjetër, në emër të PD-së, Mëhilli theksoi se kjo parti është e gatshme në çdo kohë të firmosë çdo dokument që jetëson kërkesat e Rezolutës së Këshillit të Europës. “Ripohoj edhe një herë atë që ka deklaruar Kryeministri i vendit dhe kryetari i PD-së, Sali Berisha, se mazhoranca aktuale mbështet pikë për pikë Rezolutën e Këshillit të Europës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet”, pohoi Mëhilli. Sipas saj, Rama nga njëra anë jep ultimatume dhe kërcënon për protesta, nga ana tjetër shpif dhe trillon se Berisha po kushtëzon tryezën.
#