Bojkoti, PS e ndarë në dy rryma, linja radikale dhe ajo e zbutur
Një grup pozicionohet kundër negociatave në tryezën e kreut të shtetit
Ashtu siç ndodh përherë në selinë rozë, edhe pse ka një rezolutë të qartë të faktorit ndërkombëtar ku kërkohet zgjidhja në tryezën e Presidentit, jo të gjithë mendojnë njësoj. Nëse vendimi për bojkot dhe protestat krijuan vetëm një rrymë, atë të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, që kërkonte të kundërtën, aktualisht, në prag të negociatave mes Sali Berishës dhe Edi Ramës jo të gjithë e mbështesin idenë e zgjidhjes së krizës në tryezë. Disa kërkojnë të vazhdohet me të njëjtin qëndrim si deri më tani, duke provokuar zgjedhjet e parakohshme. Burime nga selia rozë thonë se drejtues dhe deputetë janë të ndarë në dy grupe, ata që besojnë dhe shpresojnë që kriza të zgjidhet përmes këtij dialogu dhe ata që besojnë se duhet vazhduar me bojkotin e protestat. Grupi i parë ka në vetvete edhe një rrymë më radikale që përfaqësohet nga Ben Blushi dhe katër deputetët e tjerë, të cilët mendojnë se PS duhet të hyjë në Kuvend dhe aty të kërkojë hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Jo të ekspozuar publikisht, por gjithsesi të pranishëm në korridoret politike të selisë rozë, një pjesë e mirë e grupit parlamentar mendon se duhet të thyhet bojkoti, por nuk janë në atë linjë të avancuar me Blushin dhe grupin e tij. Dy ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Shqip”, deputeti socialist, Eduard Shalsi, shprehu mendimin e tij se me Berishën nuk mund të negociohet dhe ai ka dhënë prova se nuk mund ta bëjë këtë gjë. Shalsi është një ndër deputetët që e ka shprehur mendimin e tij, për të cilin ai tha se do ta diskutojë në strukturat partiake. “Si mund të negociohet me një njeri të paskrupullt që për hir të pushtetit nuk njeh as parime, as norma dhe as ligje? Unë e kuptoj që Edi Ramës dhe PS, edhe për hir të faktorit ndërkombëtar, do t’i duhet të negociojë, por kjo nuk më pengon aspak të besoj se kjo situatë nuk zgjidhet me negociata dhe ndaj gjykoj se është krejtësisht e pafrytshme të diskutohet me një njeri që ka dhënë prova të pakontestueshme se nuk di të mbajë fjalën, as edhe kur ajo është e shkruar”, tha Shalsi.Madje, sipas tij, përballë kësaj qeverie arrogante, rruga e vetme efektive është bojkoti i vendosur parlamentar i opozitës dhe protestat masive qytetare. Skeptik ndaj negociatave duket se është edhe kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili pak ditë më parë është shprehur se vijojnë përgatitjet e protestave në rast se dështon dialogu. “Ne jemi në protestë edhe tani, qysh ditën që kemi vendosur të refuzojmë pjesëmarrjen në një Parlament, i cili në këndvështrimin tonë duhet të legjitimojë vetëm duke pasur kurajën që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese, kështu që arsyet e protestës janë të gjitha arsyet që ne jemi në pozicion që jemi sot, pse jemi jashtë Parlamentit, të gjitha arsyet pse ne jemi dhe do jemi në betejë, pavarësisht nëse do ketë ose jo një manifestim të madh proteste në varësi të rezultatit të dialogut”, tha Rama. Ndërsa Ben Blushi, i cili tanimë ka bërë të ditur qëndrimin për të hyrë në Parlament në datën 4 mars, duke i dhënë fund bojkotit, është shprehur se PS duhet të hyjë në Parlament, por duke e kushtëzuar hyrjen jo me të shkuarën por me të ardhmen. “Shpresoj që Edi Rama të jetë i interesuar ta zgjidhë këtë krizë. Ai nuk duhet të shkojë me kokëfortësi, ai duhet ta kushtëzojë raportin me Parlamentin e Shqipërisë në të ardhmen, jo në të shkuarën. Ai është akoma në datën 28 qershor, ne kemi interes të ecim përpara”, u shpreh ai. Kushtëzim në të ardhmen do të thotë që PS duhet ta kushtëzojë hyrjen në Parlament me atë çka do ndodhë tani e prapa.
#