E Diel, 1 Nëntor 2026

Tahiri: Berisha nuk mund ta kushtëzojë tryezën

Partia Socialiste bëri me dije dje se mazhoranca nuk mund ta kushtëzojë tryezën te Presidenti. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, tha se vetë tryeza e dialogut, të cilën Sali Berisha vazhdon ta anashkalojë me pretekste që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë as me Kushtetutën e as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk zgjidh përfundimisht as krizën e demokracisë dhe shtetit ligjor, as krizën institucionale e as krizën ekonomike, por vetëm i hap rrugë zgjidhjes përfundimtare, duke vendosur në themel garantimin e votës së lirë. “Tashmë në fund të karrierës së tij politike, i bëjmë thirrje Kryeministrit Berisha të lërë xhirot e dimrit e lojërat me topa bore, të ulet pa kushte absurde në tryezën e dialogut e të bëjë gjithçka është e mundur për t’i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale, krizës së demokracisë e shtetit të së drejtës, si edhe krizës ekonomike e sociale që po mbyt shqiptarët dhe sipërmarrjen private”, tha Tahiri. Kryeministri, tha ai, të jetë i sigurt se në pensionin që po i afrohet, do të ketë kohë të mjaftueshme t’i dedikohet notit, gjuetisë, alpinizmit, lojës me borën, relaksit e çdo qejfi tjetër. Sa ka kohë në detyrë, të bëjë detyrën.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›