E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria me rritje ekonomike, mbështesim reformat dhe stabilitetin ekonomiko-financiar”

13-01-2012 / Gazeta 55

Banka Botërore: Për këtë vit ndihma financiare për Shqipërinë, 40 milionë dollarë

“Banka Botërore do të mbështesë financiarisht Qeverinë Shqiptare, për zbutjen e efekteve të krizës në eurozonë dhe ruajtjen e rritjes ekonomike në Shqipëri”.
Kështu u shpreh dje, drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski, gjatë një takimi në Tiranë me përfaqësues të medias.
Sipas saj, BB ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar qeverinë shqiptare për reduktimin e borxhit, përmirësimin e ligjit për ndihmën sociale si dhe ndërmarrjen e reformave në sistemin e pensioneve. “Financimi i ri i Bankës Botërore për Shqipërinë do të përdoret për të forcuar dhe zgjeruar reformat për konkurrueshmërinë dhe qeverisjen. Ndihma do të përqendrohet në reduktimin e dobësive fiskale dhe borxhit publik”, u shpreh Lvovsky.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore parashikojnë se rritja ekonomike në Shqipëri për këtë vit do të jetë 2 për qind, ndërkohë që vënë theksin në ruajtjen e rritjes ekonomike pavarësisht rreziqeve të jashtme. Duke folur për investimet që janë bërë në Shqipëri, përfaqësuesja e BB përmendi fondin prej 22 milionë dollarë të miratuar më 22 dhjetor për sigurinë e digave.
“Ky financim do të ndihmojë KESH në rehabilitimin e digave”, tha Lvovsky, ndërsa për këtë vit ndihma financiare për Shqipërinë do të jetë 40 milionë dollarë.
Banka Botërore do të ofrojë asistencë dhe për zbatimin e ndryshimeve në ligjin për ndihmën sociale, për të cilën do japë dhe 15 milionë dollarë shtesë, si dhe do ndihmojë qeverinë për hartimin e reformës së pensioneve si dhe për forcimin dhe zhvillimin e reformave.
Në muajt e ardhshëm, BB do të përgatisë raportin e progresit për strategjinë e partneritetit me Shqipërinë. Në këtë draft do të rishikohen prioritetet për të bërë ndryshime sipas nevojës. Në raportin e publikuar së fundi nga Banka Botërore theksohet se “rritja ekonomike globale u ngadalësua në 2011 dhe perspektivat ekonomike për Evropën janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme pas thellimit të krizës në Eurozonë”. 
Sipas BB, në një mjedis të tillë të rritjes së risqeve të jashtme dhe pasigurive ekonomike, Banka Botërore po rrit financimin e disponueshëm për disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, Ballkanit Perëndimor, Kaukazit dhe për Turqinë. Kjo do të thotë që Banka Botërore tani mund të ofrojë përgjatë dy viteve të ardhshëm (2012 dhe 2013) një mbështetje më të madhe financiare për këto vende nga sa ishte parashikuar në portofolet aktuale të strategjive të partneritetit për këto vende.

Investimet e Bankës Botërore në Shqipëri, gjatë vitit 2011
Menaxhimi i përmbytjeve, ndërtimi i shkollave dhe rrugëve rurale si dhe zhvillimi i burimeve natyrore, ishin ndër projektet kryesore që u mbështetën me fonde nga Banka Botërore gjatë vitit 2011. Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Kseniya Lvovski, u ndal në pikat kryesore të bashkëpunimit me Shqipërinë gjatë muajve të fundit të vitit 2011, ku veçoi miratimin (më 22 dhjetor 2011) të financimit shtesë për Sigurinë e Digave në shumën 22 milionë USD, fond që plotësoi kredinë e mëparshme prej 35 milionë USD.
“Financimi shtesë do të mundësojë KESH-in të fillojë me tenderimin dhe të ndërmarrë punime madhore rehabilituese në digën e Komanit, si dhe të përmirësojë kapacitetin e ujëshkarkuesit dhe funksionimin e gjithë kaskadës së Drinit”, tha ajo.
Duke u bazuar në programin e BB për vitin 2011, Lvovski nënvizoi se Banka Botërore miratoi 47 milionë USD huadhënie të re, dha grante të vogla me një total prej 200 000 USD për organizatat e shoqërisë civile dhe publikoi 6 raporte të reja mbi çështjet e zhvillimit të Shqipërisë.
Drejtoresha e BB vuri në dukje se rezultatet e partneritetit me Shqipërinë në vitin e fundit vijuan me pastrimin e zonës së rrezikshme në Porto Romano, ndërtimi i shkollave të reja dhe rrugëve rurale, dhënia e pajisjeve moderne mjekësore për spitalet publike.
Ndërkohë, që shtoi ajo, Termocentrali i Vlorës, i bashkëfinancuar nga Banka Botërore, hyri në një fazë funksionimi tregtar në dhjetor 2011 dhe një pjesë e madhe e punës për të rindërtuar dhe forcuar infrastrukturën mbrojtëse kundër përmbytjeve në rajonin e Shkodrës u krye me një fond prej 12 milionë dollarë, të ri-alokuar nga Banka Botërore.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›